Ekspertët amerikanë të përçarë rreth dozës së tretë

Ekspertët amerikanë të përçarë rreth dozës së tretë

Bota September 17, 2021 - 11:54

Disa ditë para se administrata e Bidenit ta fillojë fushatën për dhënien e dozës së tretë, ekspertët mbesin thellësisht të përçarë rreth përfitimeve të dozës përforcuese.

Shumica e të rriturve që janë vaksinuar në Shtetet e Bashkuara e duan edhe dozën e tretë, disa madje aq urgjentisht, sa tashmë po i falsifikojnë dokumentet e vaksinimit për ta siguruar atë.

Pavarësisht kundërthënieve dhe paqartësisë rreth asaj nëse doza e tretë është e nevojshme në kohën e mungesës globale, Shtëpia e Bardhë është nën trysni të jashtëzakonshme politike për ta filluan fushatën e dhënies së dozës së tretë javën e ardhshme.

Muajin e kaluar, zyrtarët më të lartë shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara paraqitën një plan për t’i dhënë dritën e gjelbër dozës së tretë duke filluar nga 20 shtatori, duke e pritur miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve dhe Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Atë kohë, zyrtarët thanë se dozën e tretë të kompanive Pfizer ose Moderna mund ta marrin ata që i kanë bërë tetë muaj nga doza e dytë. Këtë kusht javën e ardhshme mund ta plotësojnë miliona amerikanë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Por kompania Moderna nuk ka ofruar të dhëna të duhura për dozën përforcuese, duke e lënë vetëm vaksinën e kompanisë Pfizer si mundësi në këtë periudhë.

Doza e tretë e vaksinave të kompanive Pfizer dhe Moderna tashmë është e qasshme për personat me imunitet të dobësuar, por plani për zgjerimin e fushatës erdhi pas raportimeve alarmante nga Izraeli për rënien e efikasitetit të vaksinës.

“Si rregull e thjeshtë: tetë muaj pasi e keni marrë dozën e dytë, merreni dozën përforcuese. Do të ju bëjë më të sigurt dhe për më gjatë. Do të na ndihmojë që ta përfundojmë pandeminë më shpejt”, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden.