Vuçiqi, Vulini e Dodiku hidhërohen fort me Malin e Zi për Rezolutën mbi Srebrenicën
Foto: Samoprovjereno

Vuçiqi, Vulini e Dodiku hidhërohen fort me Malin e Zi për Rezolutën mbi Srebrenicën

Bota June 18, 2021 - 19:33

Parlamenti i Malit të Zi miratoi sot rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.

Rezoluta, ndër të tjera, nënkupton që parlamenti dënon dhe pranon se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid dhe se më shumë se 8 000 boshnjakë myslimanë u vranë.

Teksti i rezolutës parashikon gjithashtu që 11 korriku do të shpallet Dita e Përkujtimit për Viktimat e Srebrenicës, raporton Zeri.info.

Për këto zhvillime, politikanët serbë në Serbi dhe jashtë saj, kanë reaguar me tone të ashpra.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u tha të premten serbëve në Mal të Zi se Beogradi do të jetë gjithmonë me ta dhe “mbajeni kokën lart”.

Ai shtoi se Serbia do t’i analizojë të gjitha vendimet e parlamentit në Podgoricë dhe se nuk do të shkonin “në zgjidhje të nxituara” e as do t’i “ofendojë ata që i morën këto vendime kundër interesave të Serbisë”.

“Mesazhi im për popullin tonë në Mal të Zi është se jemi me ju, duhet t’i mbajmë kokat lart, të ndërtojmë paqen. Të jetojë gjatë Serbia dhe populli serb”, shkroi Vuçiqi në llogarinë e tij në Instagram, pa përmendur specifikisht rezolutën e Podgoricës për Srebrenicën.

“Popull në Serbi, mbajini kokat lart; do të kemi rezoluta e deklarata tjera në këtë rajon. Të gjitha do të jenë ‘copy-paste’ nga Britania, Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe disa rezoluta tjera dhe të gjithë do të thonë se nuk janë kundër popullit serb, ndërsa është e qartë për të gjithë se kundër kujt janë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të flasim, të punojmë bashkë me të gjithë, t’u tregojmë kombeve në rajon se dëshirojmë të kemi bashkëpunimin më të afërt, dhe askush s’do ta ndalë Serbinë në ngritjen e saj”, deklaroi Vuçiqi, raporton Zeri.info.

Po këtë të premte, një deputet i partisë së Vuçiqit propozoi një rezolutë për Srebrenicën, pa e përmendur gjenocidin.

Edhe Aleksandar Vulin, ministri serb i Brendshëm, reagoi për miratimin e rezolutës në Mal të Zi, duke thënë se do të kërkojë t’ua ndalojë hyrjen në Serbi të gjithë deputetëve të Malit të Zi që votuan në favor të Deklaratës për Srebrenicën.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është njeri që i pëlqen ndalesat, por do të kërkoj nga ai që t’ua ndalojë hyrjen në Serbi të gjithë atyre që votuan në favor të Rezolutës. Le t’i shohin familjet e tyre, që janë të mirëvendosura në Beograd, në Mal të Zi”, tha Vulini.

Ai shtoi se ata që votuan për Deklaratën nuk mund ta konsiderojnë më veten serbë.

Reagim pati edhe nga kryesuesi i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili tha se “veprimi i Parlamentit të Malit të Zi për miratimin e Rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë është një akt krejtësisht armiqësor”.

“Parlamenti malazez nuk ka provuar asgjë për Srebrenicën por kanë provuar se janë po ashtu vazhdimisht anti-serb. E përjetoj këtë absolutisht si një akt armiqësor dhe do të di si t’i trajtoj ata dhe qëndrimin e tyre ndaj kësaj si dhe ndaj shumicës malazeze që mbështet rezolutën”, theksoi Dodiku, raporton Zeri.info.

Duke folur për radiotelevizionin e Republikës Serbe në BeH (RTRS), Dodiku theksoi se “është e pakuptueshme për Parlamentin e Malit të Zi të votojë për Rezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë”, ndërsa një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende në BeH.

“Nëse Asambleja Parlamentare e BeH-së nuk e ka miratuar një dokument të ngjashëm, atëherë pyetja shtrohet se përse Mali i Zi e miratoi? Pyetja është, a është ky një veprim i ndërhyrjes në çështje të brendshme? Nëse politika e BeH-së nuk ka mundur të arrijë konsensus për këtë çështje, si është e mundur që ata kanë të drejtë të flasin për të?”, pyeti lideri i serbëve të Bosnje e Hercegovinës.

Përpos miratimit të Rezolutës, Parlamenti i Malit të Zi dje shkarkoi ministrin e Drejtësisë për deklaratat e tij kontroverse mbi gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë. /Zëri