Në Nepal s'ka më shtretër, shtrimet nga COVID-19 bëhen me listë pritjeje

Në Nepal s'ka më shtretër, shtrimet nga COVID-19 bëhen me listë pritjeje

Bota May 08, 2021 - 08:08

Mjekët në Nepal paralajmëruan për një krizë të madhe pasi rastet e përditshme të koronavirusit shënuan një rekord dhe në spital po mbaronin nga shtretërit dhe oksigjeni.

Nepali raportoi 9,070 raste të reja të konfirmuara të enjten, krahasuar me 298 një muaj më parë. Numri i viktimave gjithashtu arriti nivelin më të lartë me 58 të Mërkurën dhe 54 të Enjten, për një total prej 3,529.

"Tani për tani nuk ka shtretër të disponueshëm në asnjë spital që po trajton pacientë me COVID", tha Dr. Jyotindra Sharma, shefe e Spitalit për Mjekësi të Avancuar dhe Kirurgji në Kathmandu.

"Edhe nëse vihen në dispozicion shtretër, ekziston një mungesë e madhe e oksigjenit dhe ne jemi në kulmin e kësaj krize, " citon AP.

Në spital, një nga mjediset kryesore në Nepal për trajtimin e pacientëve me COVID-19, shtretërit shtesë ishin të mbushur plot për të akomoduar më shumë njerëz. Ata janë zënë të gjithë dhe mënyra e vetme për t'u pranuar është përmes një liste pritjeje.

"Në situatën ekstreme, njerëzit mund të vdesin në rrugë," tha Sharma.

Në Spitalin Mësimor Universitar Tribhuvan të drejtuar nga qeveria, disa pacientë me COVID-19 ishin shtrirë në shtretërit e vendosur në verandë dhe të lidhur me cilindrin e oksigjenit. Ata janë ata me fat. Të tjerët u kthyen sepse nuk kishte hapësirë ose pajisje të mjaftueshme.

Një bllokim u vendos muajin e kaluar në qytete të mëdha, dhe Nepali këtë javë ndaloi fluturimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Qeveria është zotuar disa herë për të rritur numrin e shtretërve spitalorë dhe për të rritur trajtimin dhe masat parandaluese. Megjithatë, nuk ka pasur ndonjë ndryshim.

Nepali filloi fushatën e vaksinimit në janar me 1 milion doza të AstraZeneca të dhuruara nga India, por ajo ishte pezulluar për shkak të refuzimit të Indisë për të lejuar eksportet pasi kriza e saj u përkeqësua.

Vaksinimi rifilloi kur Kina dhuroi 800,000 doza dhe Nepali po negocion me Rusinë për furnizimet me vaksinat Sputnik V./Oranews