Për ta varrosur familjarin e tyre sipas traditave, familja kineze gjen një trup tjetër për ta djegur
Foto: China Daily

Për ta varrosur familjarin e tyre sipas traditave, familja kineze gjen një trup tjetër për ta djegur

Bota April 14, 2021 - 12:35

Një burrë kinez me sindromën Down ishte kidnapuar dhe vrarë si pjesë e një skeme të menduar mirë të shkëmbimit të trupave.

Në shumë pjesë të Kinës janë të ndaluara varrimet – e për ta realizuar këtë, një familje kishte angazhuar dikë që t’ia gjente një trup tjetër zëvendësues, i cili ishte djegur në vend të tij, raporton BBC.

Por, familja asokohe nuk e dinte se trupi i siguruar ishte i një viktime të vrarë.

Vrasja ndodhi më 2017 por mori vëmendjen e publikut vetëm javën e kaluar pas publikimit online të një artikulli mbi incidentin.

Burri i angazhuar – i identifikuar vetëm me mbiemrin e tij Huang – është dënuar me burgim me vdekje, sipas Gjykatës së lartë Popullore në Guangdong, transmeton Zeri.info.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Huangut më 2017 i ishin ofruar para nga familja për t’ia gjetur një trup tjetër pasi donin që anëtari i vdekur i familjes së tyre të varrosej sipas traditës.

Familja jeton në qytetin Shanwei në provincën Guangdong, e cila kërkon që të gjithë të vdekurit të digjen.

Por përderisa familja mendoi se ai do të kërkonte për një trup tjetër të vdekur, ai e vrau një person për ta përmbushur marrëveshjen.

Ai kishte parë një person me sindromën Down teksa mblidhte bërllok në rrugë, kishte kërkuar nga ai të hipte në veturë dhe i kishte dhënë alkool derisa viktima kishte mbetur pa ndjenja.

Më pas ai e kishte futur trupin e viktimës në një arkivol dhe pas pak ditësh e kishte dorëzuar atë te familja në këmbim të parave.

Familja kishte paguar 107,000 juan (16,300 dollarë), nga të cilat 90,000 juan i kishte marrë i akuzuari dhe pjesën tjetër ndërmjetësi, i cili tashmë ka vdekur.

Familja më pas vazhdoi për ta djegur arkivolin duke pretenduar se ishte i afërmi i tyre brenda.

Trupi i vërtetë i familjarit të tyre më pas ishte varrosur fshehurazi në mënyrë tradicionale.

Pas zhdukjes së viktimës më 2017, ai u raportua si person i zhdukur.

Policisë iu deshën më shumë se dy vjet për ta zbuluar krimin dhe për ta gjetur të akuzuarin.

Shtatorin e vitit 2020, Huang u dënua me burgim me vdekje me kusht, vendim të cilin e apeloi.

Apeli iu refuzua nga Gjykata e Lartë Popullore e Guangdong dhe dënimi me vdekje me kusht iu aprovua. Kjo do të thotë se nëse ai nuk e kryen një vepër të njëjtë brenda dy vjetësh, dënimi do të bëhet i plotfuqishëm me burgim të përjetshëm.

Familja që angazhoi Huangun u dënua për “fyerje ndaj një kufome”, por nuk u dënuan me burgim. Nuk është bërë e qartë se me çfarë mase u dënuan ata, transmeton Zeri.info.

Arsyeja përse Kina po i ndalon varrimet është për të kursyer tokë dhe për t’i dekurajuar ceremonitë ekstravagante të varrimit.

Shkëmbimi i trupave të pajetë nuk është fenomen i padëgjuar në Kinë, dhe ndodh kryesisht në zona rurale ku njerëzit nuk duan t’i ikin traditës së varrimit. /Zëri