Infektuar: 97996
Shëruar: 82064
Vdekur: 1988
Ambasadorin e Mianmarit në Britani e largojnë nga ambasada

Ambasadorin e Mianmarit në Britani e largojnë nga ambasada

Bota April 08, 2021 - 08:09

Ambasadori i Mianmarit (Birmanisë) në Britani të Madhe Kyaw Zwar Minn është larguar nga ambasada në Londër, veprim që e ka quajtur “puç” nga ushtria, e cila ka fituar pushtetin në Mianmar, në muajin shkurt.

Kyaw Zwar Minn, i cili ka bërë thirrje për kthim të rregullit civil në vendin e tij, ka thënë më 7 prill se zëvendësi i tij e ka larguar atë nga ambasada në qendër të Londrës dhe ka marrë kontrollin në emër të ushtrisë së Mianmarit.

“Ky është një lloj puçi në mes të Londrës, mund ta shihni se ata kanë pushtuar ndërtesën time”, ka thënë ai.

Protestuesit janë mbledhur bashkë me ambasadorin jashtë ndërtesës, pas raportimeve se ai është larguar nga ambasada.

Kur është pyetur se kush është brenda, ai është përgjigjur se aty qëndron “atasheu i mbrojtjes, që ka pushtuar ambasadën time”.

Departamenti i policisë së Londrës ka lëshuar një deklaratë duke thënë se është në dijeni të protestës jashtë ambasadës dhe se disa zyrtarë të saj janë prezentë, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë arrestim.

Zyra për Çështje të Jashtme në Britani ka thënë se “është duke kërkuar informacion të mëtejmë pas informacionit për incident në ambasadën e Mianmarit në Londër”.

Muajin e kaluar, ambasadori Kyaw Zwar Minn ka bërë thirrje për lirimin e lideres së zgjedhur në mënyrë demokratike Aung San Suu Kyi dhe presidentit Win Myint, çka ka nxitur ministrin e Jashtëm britanik Dominic Raab ta përshëndesë atë për “kurajën” që ka.

Britania ka sanksionuar disa anëtarë të ushtrisë së Mianmarit, si pasojë e puçit dhe ka kërkuar rikthimin e demokracisë.

Protestat kanë vazhduar në Mianmar, pavarësisht përgjigjjes brutale nga ushtria.

Asociacioni për të Burgosurit Politikë ka thënë se prej nisjes së puçit janë vrarë rreth 580 persona, derisa rreth 3,500 të tjerë janë arrestuar.

Shumica prej tyre janë në mbajtje./REL