Pas humbjes, ushtria armene ia kërkon dorëheqjen kryeministrit Pashinyan

Pas humbjes, ushtria armene ia kërkon dorëheqjen kryeministrit Pashinyan

Bota February 25, 2021 - 10:11

Forcat e armatosura të Armenisë të enjten i bënë thirrje kryeministrit Nikol Pashinyan dhe qeverisë së tij që të japin dorëheqje.

Pashinyan është përballur me protesta dhe thirrje për dorëheqje pas asaj të kritikët e cilësojnë se menaxhim i tmerrshëm i konfliktit të përgjakshëm 6-javor mes Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Vetë kryeministri Pashinyan tha se thirrja e ushtrisë për dorëheqjen e tij është përpjekje për puç ushtarak dhe u bëri thirrje përkrahësve që të mblidhen në qendrën e kryeqytetit Yerevan, shkruan Reuters.

Luftimet mes ushtrisë së Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene në Nagorno-Karabak dhe provincat përreth tij filluan në fundin e shtatorit të vitit të kaluar dhe përfunduan në mesin e nëntorit përmes nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit, e cila u ndërmjetësua nga Rusia.

Gjatë luftimeve, të dyja palët humbën nga më shumë se 4.000 ushtarë dhe gjatë konfliktit u vranë edhe dhjetëra civilë.

Përdorimi i dronëve të avancuar ia mundësoi ushtrisë së Azerbajxhanit që të ishte në pozicion më të përshtatshëm ushtarak duke sulmuar vazhdimisht nga ajri e duke i shkaktuar humbje të mëdha armikut, qoftë në ushtarë, qoftë në makineri ushtarake.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Azerbajxhani do t’i mbajë nën kontroll të gjitha territoret që i fitoi gjatë luftimeve. Nagorno-Karabaku njihet si pjesë e territorit të Azerbajxhanit nga komuniteti ndërkombëtar, por armenët synonin që atë që e quajnë “Republikë e Artsakut” t’ia bashkëngjisin territorit të Armenisë. /gazetaexpress