Reuters: Sot publikohet marrëveshja mes “Pfizer”-it dhe COVAX-it për vaksinat
Foto: Reuters

Reuters: Sot publikohet marrëveshja mes “Pfizer”-it dhe COVAX-it për vaksinat

Bota January 22, 2021 - 12:36

“Pfizer” dhe “BioNTech” kanë rënë dakord për të furnizuar vaksinën e tyre COVID-19 në skemën e qasjes së vaksinave COVAX, e bashkëudhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thanë dy burime të njohura me marrëveshjen, që është e fundit në një seri të vaksinave që do të përfshihen në projekt, i cili ka për qëllim vendet me të ardhura më të ulëta.

Marrëveshja pritet të publikohet të premten, sipas burimeve të “Reuters”-it, që kanë refuzuar të flasin me emra si pasojë e marrëveshjes së konfidencialitetit, transmeton “Zeri.info”.

Detajet mbi madhësinë e marrëveshjes ose çmimin për dozë që COVAX-i do të paguante nuk ishin të qarta menjëherë, por burimet thanë që ndarja do të ishte relativisht e vogël.

Një burim tha se arsyeja për vëllimin e kufizuar ishte se dozat ishin të destinuara kryesisht për punonjësit e kujdesit shëndetësor në vendet ku shërben COVAX-i.

“BioNTech” ka refuzuar të komentojë, ndërsa “Pfizer”-i nuk është përgjigjur ndaj kërkesës për komentim.

Edhe zëdhënësit e OBSH-së dhe të aleancës së vaksinës GAVI, e cila bashkëdrejton skemën COVAX, kanë refuzuar të komentojnë.

Këshilltari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylward, tha të hënën se skema COVAX është “duke u diskutuar në detaje” me “Pfizer”-in, e cila tashmë ka zotuar qindra miliona doza këtë vit për disa vende të pasura dhe pritet që të inkuadrojë vaksinën në COVAX “shumë shpejt”.

Skema COVAX pritet të nisë shpërndarjen e COVID-19 për vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme në shkurt.

COVAX-i ka thënë se shpreson të shpërndajë më shumë se 2 miliardë doza anti-COVID nëpër botë këtë vit.

Në një parashikim të freskuar të publikuar të enjten, ajo tha se planifikon të shpërndajë 1.8 miliard doza më 2021-n në 92 vende më të varfra, që përfshijnë rreth 27 për qind të popullatës së tyre. Skema, e drejtuar nga OBSH-ja, GAVI dhe Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI) u krijua vitin e kaluar mes brengave se vendet më të varfra do të mbesin pa vaksina, derisa vendet e varfra do të siguronin vaksina për vaksinimin e popullatave të tyre.

COVAX-i deri më tani ka siguruar furnizime të ardhshme të vaksinës nga “AstraZeneca”, është duke punuar me Universitetin e Oxfordit; me “Serum Institute of India” (SII), si dhe me “Sanofi” dhe partnerin e tij GSK.

Ajo po ashtu ka një memorandum mirëkuptimi për furnizime nga “Johnson & Johnson”, transmeton “Zeri.info”.

Vaksina e “Pfizer”-it dhe “BioNTech”-ut është e vetmja deri më tani që ka marrë aprovimin e OBSH-së për përdorim emergjent. /Zëri