Von der Leyen: BE-ja do të sigurojë shumë shpejt vaksina për Ballkanin Perëndimor

Von der Leyen: BE-ja do të sigurojë shumë shpejt vaksina për Ballkanin Perëndimor

Bota January 22, 2021 - 10:44

Bashkimi Evropian do të përdorë një mekanizëm të veçantë “sa më shpejt të jetë e mundur” për të siguruar vaksina kundër koronavirusit për Ballkanin Perëndimor dhe për disa fqinj të tjerë, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke njoftuar rezultatin e videosesionit të liderëve të BE-së.

Von der Leyen shpjegoi se procesi i shpërndarjes së vaksinave përmes mekanizmit ndërkombëtar COVAX te vendet e varfra dhe tek ato jashtë BE-së doli të ishte kompleks dhe për këtë arsye u vendos të sigurohej shpërndarja e vaksinave të siguruara nga anëtarët e BE-së në Ballkanin Perëndimor, raporton “Tanjug”.

Udhëheqësit e BE-së gjithashtu kanë vendosur që për shkak të përhapjes së shpejtë të një varianti të ri të rrezikshëm të virusit të “dekurajojnë fuqimisht udhëtimet e parëndësishme” brenda Unionit, por gjithashtu të ruajë tregun e vetëm të BE-së dhe “Zonën Schengen” dhe duhet t’i përcaktojnë saktë “zonat e kuqe” në të gjithë botën dhe të kërkojnë që personat të cilët vijnë prej andej në BE duhet së pari të bëjnë një test të koronavirusit, transmeton “Zeri.info”.

Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksuan se ka shqetësim në rritje në BE për përhapjen e një varianti të ri të koronavirusit dhe theksuan se të gjitha masat do të merren për të shpejtuar vaksinimin masiv të popullsisë.

Ata thanë se qëllimi është që deri në verë të vaksinohen së paku 70 për qind e qytetarëve të BE-së. /Zëri