Infektuar: 67906
Shëruar: 59174
Vdekur: 1587
Protesta të vogla në shtetet e fortifikuara amerikane

Protesta të vogla në shtetet e fortifikuara amerikane

Bota January 18, 2021 - 08:06

Grupe të vogla protestuesish, disa prej tyre të armatosura, u mblodhën të dielën pranë zyrave qeveritare në Shtetet e Bashkuara, ku tensionet mbeten të larta pas trazirave të 6 janarit në Kongres.

Protesta në mbështetje të presidentit në largim, Donald Trump, u mbajtën në Teksas, Oregon, Miçigen, Ohajo e gjetkë, por ato ishin të qeta.

FBI paralajmëroi protesta të armatosura përpara ceremonisë së inaugurimit presidencial, të mërkurën.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do të marrë detyrën dy javë pasi mbështetësit e Trumpit sulmuan ndërtesën e Kongresit në Uashington, duke lënë pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer të policisë.

Më shumë se 25,000 trupa të Gardës Kombëtare janë duke siguruar Uashingtonin.

Për të shprehur nivelin e lartë të shqetësimit për trazira të mundshme, sekretari i Ushtrisë, Ryan McCarthy, tha për agjencinë Associated Press se të gjithë anëtarët e Gardës po verifikoheshin, nga frika e kërcënimit të brendshëm.

Ai tha se anëtarët e Gardës po ashtu janë duke u trajnuar se si t’i identifikojnë kërcënimet e mundshme të brendshme.

Një zyrtar i qarkut nga Nju Meksiko u arrestua të dielën në Uashington, në lidhje me trazirat në Kongres, më 6 janar.

Couy Griffin, themelues i një grupi të quajtur Kaubojët për Trumpin, u zotua se do të kthehet ditën e inaugurimit me armë zjarri.

New York Times raportoi se rreth 25 anëtarë të lëvizjes Boogaloo Bois ishin në mesin e protestuesve të armatosur rëndë, që u mblodhën në Kolumbus të Ohajos.

Por, burrat - të cilët janë pjesë e një grupi ekstremist që dëshiron të përmbysë Qeverinë amerikane - thanë se ishin atje për një tubim për të drejtat e armëve, të planifikuar prej kohësh.

Guvernatori republikan i Ohajos, Mike DeWine, tha se është i lumtur që tubimi ka qenë paqësor, por shtoi se autoritetet “vazhdojnë të jenë të shqetësuara për dhunë të mundshme në ditët e ardhshme”.

Në Miçigen, dhjetëra njerëz - disa që mbanin pushkë - protestuan në Lansing, nën vëzhgimin e policisë.

“Nuk jam këtu për të qenë i dhunshëm dhe shpresoj që askush të mos tregohet i dhunshëm”, i tha një protestues agjencisë së lajmeve Reuters.

Një grup i ngjashëm i vogël protestuesish qëndroi edhe jashtë ndërtesës së Kongresit në Austin të Teksasit.

Qendra e Uashingtonit ishte kryesisht boshe të dielën, ndërsa mijëra ushtarë të Gardës Kombëtare ngritën pika kontrolli në të gjithë qytetin dhe vendosën automjete të mëdha ushtarake për të bllokuar hyrjet në disa rrugë.

Parku National Mall, që zakonisht gjatë inaugurimeve mbushet me mijëra njerëz, është mbyllur me kërkesë të Shërbimit Sekret.

Ekipi i Bidenit tashmë u ka kërkuar amerikanëve që t’i shmangin udhëtimet në Uashington, me rastin e inaugurimit, për shkak të pandemisë COVID-19.

Zyrtarët lokalë u kanë sugjeruar njerëzve që ta shikojnë ngjarjen nga distanca.

Më shumë protesta priten të mërkurën, kur Biden do të betohet zyrtarisht, duke zëvendësuar Trumpin si president.

Trump, pa sjellë ndonjë dëshmi, ka thënë se ai i ka fituar zgjedhjet dhe se votat janë vjedhur.

Pretendimet e tij janë refuzuar dhjetëra herë në gjykata të ndryshme të SHBA-së, duke përfshirë disa me gjyqtarë të caktuar nga vetë ai.

Në ditët e para në Shtëpinë e Bardhë, Biden pritet të lëshojë urdhra ekzekutivë për anulimin e disa ndalesave të udhëtimit, të vendosura nga Trump, si dhe për t’iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit për Klimën.

Biden po ashtu pritet të përqendrohet në ribashkimin e familjeve të ndara në kufirin SHBA-Meksikë, si dhe të ndërmarrë masa të detyrueshme për frenimin e pandemisë COVID-19./REL