Protesta në Capitol Hill, hetuesit: Kryengritësit donin të vrisnin zyrtarët e zgjedhur

Protesta në Capitol Hill, hetuesit: Kryengritësit donin të vrisnin zyrtarët e zgjedhur

Bota January 15, 2021 - 22:54

Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara zbuluan detaje tronditëse për kryengritësit që mësynë godinën e Capitol Hill javën e kaluar, duke deklaruar se synimi i tyre ishte të kapnin dhe të vrisnin zyrtarët e zgjedhur.

Mediat amerikane raportojnë se të dhënat përmbahen në një dosje, përmes të cilës hetuesit kërkojnë të mbajnë në burg Jacob Anthony Chansley, personi që mblodhi njerëzit brenda Kongresit duke përdorur bririn e një demi.

“Prova të forta, përfshirë fjalët e vetë Chansley-t dhe veprimet e tij në Capitol Hill, mbështesin pistën se synimi i kryengritësve ishte të kapnin dhe të vrisnin zyrtarët e zgjedhur të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në dosjen e prokurorëve.

Ndërkohë, teksa dita e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden po afron, autoritetet po implementojnë masa të paprecedentë sigurie pas paralajmërimeve për sulme të mundshme nga grupet e përfshira në protestën e 6 janarit.

Shtimi i masave të sigurisë konsiston në mbylljen e rrugëve dhe vendosjen e 20 mijë efektivëve të Gardës Kombëtare.

Perimetri me tela me gjemba që rrethonte Kongresin është zgjeruar për të përfshirë edhe Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara dhe Bibliotekën e Kongresit.

Ndërkohë, hotelet, linjat ajrore dhe biznese të tjera kanë rritur gjithashtu masat e sigurisë, duke mbrojtur vitrinat e tyre./Euronews.al