Infektuar: 56732
Shëruar: 49982
Vdekur: 1426
Pfizer dhe Moderna aplikojnë në BE për përdorim urgjent të vaksinave

Pfizer dhe Moderna aplikojnë në BE për përdorim urgjent të vaksinave

Bota December 01, 2020 - 16:01

Prodhuesit e vaksinave “Pfizer” dhe “Moderna” janë në garë të ngushtë mes vete për vaksinën kundër koronavirusit. Të dyja aplikuan të martën për miratimin e BE-së për përdorim urgjent të vaksinave të tyre, ndonëse nuk dihet nëse vaksinimi do të mund të fillojë këtë vit.

Aplikimet në Agjencinë Evropiane të Ilaçeve erdhën një ditë pasi kompania “Moderna” kërkoi leje për përdorim emergjent të vaksinës në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se një javë pasi kompania “Pfizer” e bëri të njëjtën gjë.

Prodhuesi amerikan i ilaçeve “Pfizer” dhe kompania partnere e tij në Evropë, “BioNTech”, thanë se vaksina e tyre mund të shpërndahet në Bashkimin Evropian që në dhjetor, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ne mund ta fillojmë shpërndarjen brenda pak orëve (pas miratimit). Kemi mbledhur rezerva dhe gjithçka që është aty mund të shpërndahet brenda pak orëve”, tha Sierk Poetting, udhëheqës i operacioneve dhe financave në kompaninë “BioNTech”.

Sidoqoftë, Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha se do ta përfundojë vlerësimin e vaksinës së “Pfizer”-it më së largu deri më 29 dhjetor, ndërsa vaksinën e kompanisë “Moderna” deri më 12 janar, duke paralajmëruar se datat mund të ndryshojnë përgjatë procesit.

Të dyja këto kompani kanë raportuar se vaksinat e tyre eksperimentale kanë efikasitet rreth 95 për qind. Këto vaksina janë të bazuara në teknologjinë mRNA apo acidit ribonukleik.