Shtatë persona do të dalin para gjykatës për vrasjen e mësuesit francez

Shtatë persona do të dalin para gjykatës për vrasjen e mësuesit francez

Bota October 21, 2020 - 15:03

Shtatë persona do të paraqiten para një gjykatësi antiterror si pjesë e një hetimi rreth prerjes së kokës së një mësuesi në Francë.

Samuel Paty, 47 vjeç, u sulmua pasi shfaqi karikaturat kontroverse të profetit Muhamed para nxënësve.

Sulmuesi, 18-vjeçari Abdullakh Anzorov, u qëllua për vdekje nga policia, raporton BBC e “AlJazeera”-s.

Dy të mitur bashkë me një prind, i cili raportohet të ketë shkëmbyer mesazhe me vrasësin, janë në mesin e atyre që do të paraqiten para gjykatës të mërkurën.

Paty u përball me një fushatë të urrejtjes online pasi shfaqi karikaturat në dy orë mësimore për lirinë e shprehjes gjatë këtij muaji, transmeton “Zeri.info”.

Hetuesit thanë se adoleshenti donte të hakmerrej sepse mësuesi tregoi karikaturat e profetit Muhamed në një orë të lirisë së shprehjes. Myslimanët besojnë se çdo portretizim i profetit është blasfemi.

Vrasja tronditi Francën dhe kujtoi sulmin pesë vjet më parë në zyrën e gazetës satirike “Charlie Hebdo”, pasi gazeta botoi karikaturat e profetit Muhamed. Figurat publike e quajtën vrasjen një sulm ndaj Republikës dhe vlerave franceze.

Një përkujtim kombëtar për Patyn do të mbahet të mërkurën në Universitetin e Sorbonës të Parisit.

Samuel Paty do të vlerësohet pas vdekjes me çmimin më të lartë të Legjionit të Nderit të Francës, njoftoi të martën ministri francez i Arsimit.

Ministri francez i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, hodhi poshtë të gjitha kritikat se kishte një “dështim” për gjetjen e të riut ruso-çeçen, që ia preu kokën profesorit. /Zëri