Trumpi thotë se Bideni do ta anulojë sezonin e Krishtlindjeve

Trumpi thotë se Bideni do ta anulojë sezonin e Krishtlindjeve

Bota October 19, 2020 - 11:32

Fushata e Donald Trumpit para zgjedhjeve të nëntorit ka vazhduar edhe të dielën, ku ai foli para përkrahësve në Carson City, Nevada.

Presidenti foli për rreth 90 minuta para turmës së madhe, ku distanca sociale nuk respektohej fare.

Ndër temat e zakonshme të tij, ku ai sulmon Joe Bidenin, Trumpi bëri një koment të çuditshëm për planet e kundërshtarit të tij rreth Krishtlindjeve, duke thënë se ai do ta anulonte sezonin e Krishtlindjeve nëse zgjidhet.

“Nën masat izoluese të Bidenit dritat e Renos dhe të Las Vegasit u fikën”, tha Trumpi para përkrahësve të tij.

Por, siç raporton “HuffPost”, Trumpi ishte president gjatë masave izoluese këtë vit. Bideni ishte një qytetar i thjesht pa asnjë rol qeverisës.

Më tej Trumpi tha: “Carson City do të shndërrohet në një qytet fantazmë. Nëse ai fiton Carson City do të shndërrohet në një qytet fantazmë. Sezoni i Krishtlindjeve do të anulohej”, tha Trumpi para mbështetësve të tij, raporton “The Independent”.

Mirëpo “HuffPost” raporton se Bideni nuk do ta marrë detyrën deri më 20 janar, shumë kohë pas sezonit të Krishtlindjeve, nëse zgjidhet.

Trumpi nuk dha ndonjë sqarim se si apo përse Bideni do ta bënte këtë, por menjëherë kaloi në një temë tjetër, transmeton “Zeri.info”.

Kjo akuzë e çuditshme dhe e pabazuar e Trumpit kundër Bidenit vjen vetëm pak javë pasi në publik dolën disa audioincizime ku zonja e arë, Melania Trump, thoshte se nuk është ndonjë adhuruese e madhe e Krishtlindjeve.

“Po punoj shumë për këto gjërat e Krishtlindjeve, të cilat, e dini, kujt i intereson për gjërat dhe dekoret e Krishtlindjes?”, kishte thënë Melania Trump në një incizim që u publikua nga ish-mikja dhe ndihmësja e saj, Stephanie Winston Wolkoff. “Por më duhet ta bëj, apo jo?”.

Në tubimin në Nevada Trumpi bëri edhe komente tjera që bënë opinionin të hamendësohej. Ai bëri thirrje që shtetet e mëdha amerikane të hapen edhe përkundër rrezikut ende të madh që përbën koronavirusi.

Ai sërish akuzoi Bidenin se nuk po ka njerëz mjaft nëpër tubimet e tij, duke pretenduar se ai vetë ka “turmat më të mëdha në historinë politike”.

Një tjetër moment, kontrovers ishte ai kur Trumpi komentoi dhëndrin e tij, Jared Kushner, duke thënë se ai është “i dobët” dhe “nuk ka problem me peshën”. /Zëri