Rreth gjysmë milioni peshkaqenë mund të theren për vaksinën kundër koronavirusit

Rreth gjysmë milioni peshkaqenë mund të theren për vaksinën kundër koronavirusit

Bota September 28, 2020 - 16:58

Rreth 500 mijë peshkaqenë mund të theren për nxjerrjen e një përbërësi i cili do të përdoret tek vaksinat kundër koronavirusit.

Sipas mediave të huaja dhe një shoqate të peshkaqenëve në Kaliforni, “squalene”, një vaj natyral i përpunuar në mëlçinë e peshkaqenëve, po përdoret në disa prej vaksinave të cilat po zhvillohen aktualisht kundër COVID-19.

Kjo substancë përdoret edhe sot në mjekësi e cila rrit efektivitetin e vaksinave për krijimin e një reagimi më të fortë imunitar, transmeton zeri.info. Gjiganti britanik i barnave, “GlaxoSmithKline”, e aplikon këtë përbërës tek vaksinat e gripit të zakonshëm ndërsa potencoi se do të prodhonte një miliard doza të vaksinës me këtë vaj për përdorim potencial në vaksinën kundër koronavirusit.

Bazuar në raportimet e huaja, rreth 3,000 peshkaqenë iu duhen shkencëtarëve për të nxjerrë një ton “squalen”. Sipas një shoqate të peshkaqenëve në Kaliforni, rreth 250 mijë peshkaqenë do të duhej të theren për t’ia siguruar popullsisë së botës nga një dozë të vaksinës.

Studiuesit ndërkohë thonë se ka të ngjarë që njeriu të marrë nga dy doza për rritjen e sistemit imunitar. Ndryshe, pandemia e koronavirusit ka prekur më shumë se 33 milionë njerëz, ndërsa ka lënë të vdekur afër një milion nga ta. /Zëri