Mikrobi trungrënës zbulohet në ujësjellësin e një qyteti të Teksasit

Mikrobi trungrënës zbulohet në ujësjellësin e një qyteti të Teksasit

Bota September 28, 2020 - 13:13

Banorët e liqenit Jackson, Teksas, janë paralajmëruar në lidhje me përdorimin e ujit të rubinetit, pasi u gjet një mikrob vdekjeprurës, që ua ha trurin në sistemin publik të furnizimit me ujë, shkruan BBC.

Testet konfirmuan praninë e “Naegleria fowleri” në sistem. Kjo amebë mund të shkaktojë infeksion të trurit, i cili zakonisht është fatal, transmeton “Zeri.info”.

Infeksionet janë të rralla në SHBA, me 34 të raportuara ndërmjet 2009-s dhe 2018-s. Zyrtarët në liqenin Jackson thanë se po e dezinfektonin ujin, por thanë se nuk e dinë se sa do të zgjasë kjo.

Tetë komuniteteve në Teksas u thanë fillimisht të premten mbrëma që të mos e përdornin ujin e rubinetit për asnjë arsye, përveç për tualet. Paralajmërimi u hoq të shtunën për të gjithë, përveç banorëve të liqenit Jackson, një qytet me më shumë se 27.000 banorë.

Autoritetet në liqenin Jackson më vonë thanë se banorët mund të fillojnë të përdorin ujin, por duhet ta vlojnë atë para se ta pinë. Nga banorët u kërkua gjithashtu që të marrin masa tjera, duke mos lejuar uji që t’u kalojë nëpër hundë gjatë dushit ose larjes. Qyteti paralajmëroi se fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar ishin “veçanërisht të prekshëm” nga ky mikrob.

Hetimi mbi sistemin e furnizimit me ujë të qytetit filloi pasi një djalë gjashtëvjeçar kontraktoi mikrobin dhe vdiq në fillim të këtij muaji, u tha gazetarëve menaxheri i qytetit të liqenit Jackson, Modesto Mundo. “Naegleria fowleri” gjendet natyrshëm në ujërat e ëmbla dhe gjendet në të gjithë botën. Zakonisht infekton njerëzit kur uji i ndotur hyn në trup përmes hundës dhe më pas udhëton në tru.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë se infeksioni ndodh zakonisht kur njerëzit bëjnë not ose zhytje në “vende me ujëra të ngrohta të ëmbla”. CDC thotë se njerëzit nuk mund të infektohen duke gëlltitur ujin e ndotur dhe nuk mund të kalojë nga personi në person. Të infektuarit me “Naegleria fowleri” kanë simptoma, duke përfshirë ethe, të përziera dhe të vjella, si dhe shtrëngime në qafë dhe dhimbje koke.

Shumica vdesin brenda një jave. Një infeksion u konfirmua më parë në shtetin amerikan të Floridës në fillim të këtij viti. Në atë kohë zyrtarët e shëndetit atje u kërkuan vendasve të shmangnin kontaktin e hundës me ujë nga çezmat dhe burime të tjera. /Zëri