Pas aferës së korrupsionit, ish-mbreti Juan Carlos vendos të largohet nga Spanja

Pas aferës së korrupsionit, ish-mbreti Juan Carlos vendos të largohet nga Spanja

Bota August 03, 2020 - 21:47

Disa javë pasi u lidh me një hetim të dyshuar për korrupsion, ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos do të largohet nga vendi. Kështu ka njoftuar pallati mbretëror i Spanjës.

Në qershor, Gjykata Supreme e Spanjës hapi një hetim me dyshimin e përfshirjes së Juan Carlosit në një kontratë hekurudhore me shpejtësi të lartë në Arabinë Saudite.

Hetimi përfshin edhe bashkëshortin e vajzës së tij dhe një udhëtim kontrovers të tij për gjuajtjen e elefantëve që monarku e bëri gjatë krizës financiare spanjolle.

Mbreti Juan Carlos drejtoi Spanjën nga kalimi i diktaturës në demokraci pas vdekjes së gjeneralit Franco në vitin 1975, thotë Nick Beake i BBC-së.

Ai hoqi dorë nga froni në vitin 2014, gati pas 40 vjetësh në krye të atij posti. Pasi u largua, ai ia dorëzoi fronin dhe një letër djalit të tij tash mbretit Felipe VI.

"Përballë pasojave në publik për disa ngjarje të së kaluarës në jetën time private dhe me shpresën që do të lejojë që djali im të kryejë funksionet e tij si mbret me "qetësi”. I udhëhequr nga bindja për t'i shërbyer më së miri popullit të Spanjës, institucioneve të tij dhe ju si mbret, ju informoj për vendimin tim në këtë kohë për të lënë Spanjën. Këtë vendim e marr me emocion të thellë, por me qetësi të madhe", thuhet në letrën e Juan Carlosit drejtuar djalit të tij, Felipe VI.

Në muajin mars, mbreti Felipe VI hoqi dorë nga trashëgimia e babait të tij. Pallati mbretëror gjithashtu tha në atë kohë që ish mbreti Juan Carlos nuk do të merrte më një grant vjetor prej 194,000 eurosh.

Por për çfarë bëhet fjalë në hetimin e korrupsionit?

Gjykata Supreme e Spanjës ka deklaruar se ajo synon të vendosë lidhje në mes Juan Carlosit dhe një projekti të hekurudhës ndërmjet Mekës dhe Medinës në Arabinë Sauditë, projekt ku firmat spanjolle fituan një marrëveshje prej 6.7 miliardë eurosh.

Zyrtarët spanjollë kundër korrupsionit dyshojnë se ish-mbreti mbajti disa fonde të padeklaruara në Zvicër, gjë për të cilën po heton edhe drejtësia zvicerane.