Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Presidenti austriak i del në mbrojtje restorantit shqiptar në Vjenë

Presidenti austriak i del në mbrojtje restorantit shqiptar në Vjenë

Bota May 25, 2020 - 12:56

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ka kërkuar falje publike, pasi ai dhe bashkëshortja e tij thyen rregullat e rekomanduara si masë ndaluese e koronavirusit. Ai ka deklaruar se do të marrë përsipër të gjitha gjobat nëse i vihen pronarit shqiptar të restorantit “Sole” në Vjenë.

Austria ka lejuar hapjen e restoranteve deri në orën 23.00 të mbrëmjes, por presidenti Van der Bellen dhe bashkëshortja e tij, Doris Schmidaue, janë parë nga policia austriake teksa pinin deri pas mesnatës në restorantin “Sole” të pronarit shqiptar, Aki Nuredini, raporton “Albinfo”.

Sipas medieve austriake, restoranti në atë kohë ishte i mbyllur, por ata kishin vazhduar edhe për më shumë se një orë të qëndrojnë të ulur në tarracën e restorantit.

“E humbëm kohën duke biseduar dhe fatkeqësisht e kaluam orarin e lejuar”, kishte shkruar ai në një postim në rrjetet sociale. “Më vjen keq, ishte një gabim”, shpreh keqardhje presidenti Van der Bellen.

Sipas rregullores në Austri, nëse ndonjë restorant gjendet i hapur pas orës 23:00 gjoba do të jetë afër 30 mijë euro. Për këtë presidenti austriak ka theksuar se nëse pronarit të restorantit do t’i vihet ndonjë gjobë, është i gatshëm të gjitha t’i marrë përsipër.

“Nëse restoranti do të marrë ndonjë gjobë, unë do të qëndroj prapa kësaj dhe do të marr përgjegjësitë e mia”, ka shkruar presidenti Van der Bellen.

Restoranti “Sole” është pronë e gastronomit të njohur shqiptar Aki Nuredini, i cili këtë restorant e ka të hapur që nga viti 1983 dhe gjendet në njërën nga rrugët më të frekuentuara të Vjenës.