Presidenti ukrainas: Kush ka nevojë për Oskar? Tani jam i famshëm në SHBA
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i cili më parë ka qenë aktor, bëri shaka këtë të shtunë duke treguar se më parë kishte ëndërruar për një çmim Oskar dhe popullaritetin në Shtetet e Bashkuara, por ai të paktën kishte arritur pjesën e famës përmes procesit të gjykimit të Presidentit Donald Trump.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih për Ukrainën, Zelenskiy tha se po i bëjnë shumë pyetje në lidhje me procesin që u zhvillua pak javë më parë kundër Trump.
“Në profesionin tim të mëparshëm si producent, skenarist dhe aktor, unë doja të fitoja një Oskar dhe doja të isha shumë i njohur në Shtetet e Bashkuara. Tani unë jam shumë i njohur në SHBA, por nuk doja ta gjeja në një mënyrë të tillë”– tha ai.
Uashingtoni ka qenë mbështetësi më i fortë i Ukrainës në krizën e marrëdhënies së saj me Rusinë për shkak të aneksimit të Krimesë nga Moska në 2014 dhe mbështetjes së luftëtarëve separatistë në një konflikt në rajonin lindor të Donbas.
Zelenskiy tha se ai dëshiron të ndryshojë imazhin e Ukrainës në mënyrë që njerëzit të mos e shoqërojnë vendin me korrupsionin. Ai gjithashtu falënderoi Shtetet e Bashkuara për të gjithë ndihmën që i është ofruar dhe shtoi se ishte i gatshëm për më shumë telefonata me Trump.
“Nëse e ndihmon Ukrainën, unë jam gati për thirrjen tjetër telefonike me zotin Trump.”
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë akuzuar Trump për presion ndaj Zelensky për të filluar një hetim ndaj kundërshtarit politik të presidentit amerikan Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, duke përdorur ndihmën ushtarake amerikane si një levë.
Në të njëjtën kohë, Trump u akuzua se vendosi një parakusht për të nisur ftesën e Zelensky për të vizituar Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë Senati, i kontrolluar nga republikanët, e liroi presidentin amerikan nga akuzat.