Kinë, rritet në 1.368 numri i të vdekurve nga koronavirusi
Në rajonin Hubei të Kinës, i cili është epiqendra e koronavirusit të ri (Kovid-19) në 24 orët e fundit kanë vdekur 242 persona, transmeton AA-ja.
Sipas lajmit të agjencisë Xinhua, mësohet se në rajon në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 242 persona dhe janë përcaktuar 14.840 raste të reja të virusit.
Numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në 48.206 ndërsa arsyeja e rritjes së numrit të rasteve është ndryshimi i mënyrave të përdorura në diagnostikimin e Kovid-19. Ndërkohë nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) në Kinë nuk është dhënë ndonjë deklaratë lidhur me situatën e epidemisë së koronavirusit në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave nga "Zhvillimet e menjëhershme për epideminë e koronavirusit të ri në të gjithë vendin" e cila është një prej platformave që monitoron nëpërmjet internetit situatën e epidemisë në Kinë, numri i të vdekurve në vend ka arritur gjithsej në 1.368 dhe numri i rasteve në 59.883.
- Sekretari i partisë në Hubei shkarkohet nga detyra
Sekretari i Partisë Komuniste të Kinës në Hubei, Jiang Chaoliang u shkarkua nga detyra për shkak të "menaxhimit të dobët" të situatës në rajon pas shfaqjes së epidemisë e deri më tani.
Komiteti qendror i Partisë Komuniste kineze në vend të Jiang ka emëruar ish-kryebashkiakun e Shangait, Ying Yong.
- Në Wuhan dërgohen përforcime të personelit shëndetësor ushtarak
Gjithashtu bëhet e ditur se në qytetin Wuhan janë dërguar 2.600 përforcime të personelit shëndetësor ushtarak nga njësi të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës.
Bashkë me personelin në fjalë, në Wuhan ka tejkaluar në mbi 4.000 numri i përforcimeve të personelit shëndetësor ushtarak pas shfaqjes së Kovid-19.
Lloji i koronavirusit të ri për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan më 12 dhjetor 2019, ku si pasojë shumë vende përshirë Turqinë evakuuan shtetasit e tyre të bllokuar në Kinë.
Pas shfaqjes së koronavirusit në qytetin Wuhan ai u përhap për një kohë të shkurtër edhe në qytete tjerat të vendit, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli "situatë emergjente".