Japonia goditet nga tërmeti prej 5.2 shkallësh
Japonia është goditur sot nga një tërmet prej 5.2 ballësh të Rihterit. Dridhja u regjistrua afër Fukushima-s, ku në vitin 2011 ndodhi katastrofa bërthamore.
Dëshmitarët thanë se e ndien një dridhje që zgjati dhjetë sekonda rreth orës 7 e 30 minuta të mbrëmjes sipas kohës lokale.
Pavarësisht fuqisë së dridhjes dhe lokacionit të saj afër bregdetit, Agjencia Meteorologjike e Japonisë nuk e ka aktivizuar alarmin për cunami.
Zyrtarët e rajonit të Fukushima-s i paralajmëruan banorët se në këtë zonë mund të ketë edhe dridhje të tjera dhe i këshilluan që t’i përcjellin njoftimet e reja.
Kompania energjetike, TEPCO, e cila i menaxhon centralet bërthamore në këtë pjesë, tha se është duke pritur informata të reja për ndikimin e mundshëm të tërmetit në qendrën nukleare.
Në vitin 2011, në Fukushima ndodhi fatkeqësia më e rëndë bërthamore që nga rasti i Çernobilit, kur një tërmet me fuqi prej 9.1 shkallësh shkaktoi cunami.
Valët e ujit e vërshuan qendrën bërthamore dhe shkaktuan rrjedhje të materialit radioaktiv, shkruan “Daily Mail”