Eksperti kinez thotë se epidemia e koronavirusit merr fund në prill

Eksperti kinez thotë se epidemia e koronavirusit merr fund në prill

Bota February 11, 2020 - 12:39
Një këshilltar i lartë shëndetësor në qeverinë kineze ka thënë se epidemia e rrezikshme mund të përfundojë në muajin prill.

Gjatë një interviste për agjencinë “Reuters”, Zhong Nanshan, epidemiolog 83-vjeçar, i cili ishte bërë i famshëm gjatë luftimit të virusit SARS në vitin 2003, derdhi lotë për mjekut Li Wenliang, i cili vdiq javën e kaluar pasi ishte kundërshtuar nga autoritetet për shkak të paralajmërimit për një virus të ri.

Megjithatë, Zhong ishte optimist që përhapja e koronavirusit do të ngadalësohet së shpejti. Numri i rasteve të infektimeve të reja tashmë ka filluar të bjerë në disa rajone, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Ai tha se koronavirusi do ta arrijë kulmin në mes ose në fund të shkurtit, ndërsa më pas do të pasojë rënia e numrit të rasteve. Këtë vlerësim mjeku i njohur e bëri duke u bazuar në modelimin matematikor, ngjarjet e fundit dhe masat e marra nga qeveria.

“Unë shpresoj se kjo epidemi do të përfundojë kah prilli”, tha ai në një spital ku po trajtohen 11 pacientë nga koronavirusi.

Ai shtoi: “Nuk e dimë pse virusi është kaq ngjitës, prandaj ky është një problem i madh, duke shtuar se rënia e numrit të rasteve të reja është një lajm i mirë për Kinën.

Ndryshe, më shumë se 1 mijë persona kanë vdekur dhe mbi 40 mijë të tjerë janë infektuar nga koronavirusi. Këto shifra pritet të rriten ditëve në vijim.