Temperaturat e ulëta, refugjatët në Evropë në luftë për mbijetesë

Temperaturat e ulëta, refugjatët në Evropë në luftë për mbijetesë

Bota dhjetor 05, 2019 - 21:09
Detaje

Qindra emigrantë të parregullt që strehohen në një kamp refugjatësh në rajonin Bihaç në veri të Bosnjë e Hercegovinës, pranë kufirit kroat, luftojnë për të mbijetuar në kushtet e vështira të dimrit, pasi temperaturat e ajrit kanë arritur deri në -10 gradë celsius.

Rreth 500 refugjatë që jetojnë në Kampin Vuçjak tashmë janë përballur me kushte të vështira, por ardhja e dimrit ka çuar vështirësitë e tyre në një nivel më të lartë.

Refugjatët në kamp, ëi cili gjendet vetëm 15 kilometra larg nga kufiri i Kroacisë, vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE), u bëjnë thirrje zyrtarëve kroatë të lejojnë hyrjen e tyre në mënyrë që të mund të vazhdojnë rrugën drejt vendeve evropiane si Gjermania, Franca, Holanda dhe Italia.

Për shkak të moslejimit për të vazhduar drejt vendeve të tilla, banorët e kampit kanë refuzuar ushqimin e ofruar nga Kryqi i Kuq për dy ditët e fundit, ndërsa po ashtu lahen me ujin e siguruar nga shkrirja e borës dhe ngrohen me drunjtë që mbledhin në pyllin në afërsi.

Një pankartë qëndron në mes të kampit, në të cilën u bëhet thirrje zyrtarëve të ofrojnë ndihmë në këtë drejtim. “Ne po vdesim këtu. Duam që BE t’i hapë kufijtë e saj”, shkruan në pankartë.

Edhe pse autoritetet më herët kanë sugjeruar ndryshimin e vendndodhjes së kampit, asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë në kamp, në të cilin gjenden grumbuj plehrash.

Banorët e kampit kanë vështirësi të gjejnë ujë të pijshëm dhe të ecin në mënyrë të duhur për shkak të baltës.

“Ne nuk duam asnjë ndihmë, por duam që rrugët të hapen dhe (vendet evropiane) të na lejojnë të vazhdojmë”, tha një refugjat afgan në kamp me emrin Muhamed, ëduke shtuar se netët janë të acarta për shkak të reshjeve të dendura të borës.

Dhjetëra refugjatë në kamp janë sëmurë për shkak të kushteve të rënda të motit, ndërsa disa nga tendat janë shembur për shkak të borës, duke e bërë gjendjen e banorëve të kampit edhe më sfiduese, tregon Muhamedi.

“Ata na thonë të shkojmë në kampet e poshtme (jugore), por ne do të kthehemi pas dimrit. E mira më e madhe që mund të na bëhet do të ishte hapja e kufijve”, tha ai.

Ndërkaq, Ekmel, refugjat pakistanez, tha se askush në kamp nuk kërkon ndihmë, por shtoi se “E tëra që duam është të hapen kufijtë”.

Njerëzit në kamp madje nuk duan të bëjnë gjumë nga frika e vdekjes nga ngrirja dhe mblidhen rreth një zjarri dhe bisedojnë deri në agim, tha Ekmel, përcjell AA.

Disa janë përpjekur të kalojnë nëpër kufijtë kroatë shumë herë, por policia kroate i ka arrestuar dhe i ka rrahur para se t’i kthente përsëri në Bosnjë dhe Hercegovinë, tregon ai.

Po ashtu, një tjetër afgan në kamp i quajtur Ahmet, ëtha se netët janë shumë të ftohta me ardhjen e dimrit.

“Ka fëmijë dhe pleq këtu. Mbase nuk është diçka e madhe për të rriturit, por ky vend është shumë i ftohtë për fëmijët”, tha Ahmeti.

Ai u shpreh se ndihma e Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë ua ka lehtësuar vuajtjet banorëve të kampit.

“Zoti e bekoftë Turqinë. Ky vend do të ishte shumë më keq nëse nuk do të ishin tendat (të siguruara nga Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë)”, tha ai.