Bullgaria arreston një 20-vjeçar për sulmin masiv kibernetik

Bullgaria arreston një 20-vjeçar për sulmin masiv kibernetik

Bota July 17, 2019 - 13:43
Detajet

Autoritetet bullgare njoftuan se e kanë arrestuar një person 20-vjeçar të gjinisë mashkullore, i cili dyshohet për kryerjen e një sulmi masiv kibernetik, me ç’rast u publikuan të dhënat personale financiare të miliona bullgarëve. Ky ishte sulmi më i madh i këtij lloji në histori të Bullgarisë.

Zyrtarët besojnë se ky sulm, i cili ndodhi të martën, mund të jetë i lidhur me njoftimin e kohëve të fundit për blerjen e aeroplanëve luftarakë të tipit F-16 nga Shtetet e Bashkuara, për të cilët Bullgaria do t’i paguajë 1.3 miliardë dollarë.

Yavor Kolev, shef i Departamentit për Krime Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme për Luftimin e Krimit të Organizuar, tha gjatë një interviste televizive të mërkurën se personi i arrestuar është një djalë 20-vjeçar, i cili punon për një kompani të sigurisë kibernetike. Ai nuk e publikoi identitetin e personit të arrestuar, por i mohoni raportimet se i dyshuari është qytetar rus, që është i martuar me një bullgare.

Ministri i brendshëm, Mladen Marinov, tha se të dhënat financiare të rreth pesë milionë bullgarëve dhe të huajve në këtë shtet janë publikuar nga një domen me bazë në Rusi. Këto të dhëna janë vjedhur nga sistemet e Agjencisë Kombëtare të të Hyrave.

Ai shtoi se ky sulm mund të jetë i lidhur me njoftimin për blerjen e aeroplanëve luftarakë nga Shtetet e Bashkuara. Lidhur me këtë, Marinov tha: “Grupet e organizuara kriminale të përfshira në sulme kibernetike zakonisht synojnë përfitime financiare, por motivet politike gjithashtu janë të mundshme”, shkruan “Free Europe”.