NATO-ja kërkon nga Rusia që ta shkatërrojë raketën e re

NATO-ja kërkon nga Rusia që ta shkatërrojë raketën e re

Bota qershor 25, 2019 - 16:18
Detajet

Zyrtarët e NATO-s i bënë thirrje Rusisë të martën që ta shkatërrojë një raketë të re para afatit të caktuar për muajin gusht në mënyrë që ta respektojë traktatin për shmangie të kokave bërthamore në territorin e Evropës. Në të kundërtën, Rusia do të përballet me përgjigje më të ashpër nga NATO-ja në pjesën lindore të Evropës.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë të mërkurën për hapat e ardhshëm lidhur me sistemin raketor rus, për të cilin Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mundëson sulme të shpejta bërthamore në Evropë dhe që e shkel Traktatin për Armë Bërthamore të vitit 1987.

“I bëjmë thirrje Rusisë që ta marrë rrugën e përgjegjshme, por ne nuk kemi parë shenja se ata do ta bëjnë një gjë të tillë. Do të detyrohemi të kundërpërgjigjemi”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konference për gazetarë.

Sidoqoftë, ai refuzoi të japë më shumë hollësi për hapat e ardhshëm të aleancës ushtarake kundër Rusisë. Pavarësisht kësaj, diplomatët thanë se ministrat e mbrojtjes do ta shqyrtojnë shtimin e fluturimeve të aeroplanëve ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, të cilët mund të bartin koka bërthamore, shpeshtimin e ushtrimeve ushtarake dhe ripozicionimin e raketave amerikane të vendosura në det.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s duan që Rusia ta shkatërrojë sistemin raketor që mund të gjuajë koka bërthamore, i quajtur “9M729/SSC-8”. Sidoqoftë, Rusia ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë dhe thotë se nuk e ka shkelur traktatin e vitit 1987, shkruan “Reuters”.