Hong Kong: Ditën protestojnë dy milionë veta, natën i pastrojnë të gjitha rrugët

Hong Kong: Ditën protestojnë dy milionë veta, natën i pastrojnë të gjitha rrugët

Bota June 17, 2019 - 18:12
Lexoni detajet

Protestuesit e Hong Kongut janë vlerësuar lart për pastrimin e rrugëve dhe hapësirave publike gjatë natës. Ata i kanë mbledhur të gjitha mbeturinat që janë lënë nga rreth dy milionë protestues gjatë ditës.

“Pjesëmarrësit janë duke e larguar grumbullin e fundit të mbeturinave. Dy milionë njerëz kaluan këndej dje, rruga ishte e mbushur dhe tashmë nuk është asnjë mbeturinë në rrugë”, shkroi në Twitter njëri nga organizatorët, Kong Tsung-gan, në orët e hershme të mëngjesit.

“Isha aty dhe pashë gjithçka. Pashë se si të rinjtë me qese të ndryshme i mblidhnin mbeturinat. Kishte shumë njerëz që e largonin bërllokun”, tha Ennie Chan, e cila mori pjesë në protestën e së dielës.

Protestuesit kanë rënë në sy për të mirë edhe për hapjen e rrugës për veturat e ambulancës që të kalojnë me lehtësi përmes grumbullit të madh të njerëzve.

Një nxënës i shkollës së mesme që deshi të mbetet anonim tha: “Protesta e djeshme ishte e bukur. Protestuesit ishin shumë të sjellshëm. Kishte shumë njerëz të moshuar. Kur ata nuk ndiheshin mirë, njerëzit përreth tyre u ofronin ujë dhe bukë dhe kërkonin nga të tjerët që të jenë të kujdesshëm ndaj tyre”.

Përndryshe, protestuesit kanë dalë në rrugët e Hong Kongut për disa ditë me radhë për ta kundërshtuar projektligjin e propozuar nga qeveria lidhur me ekstradimin e personave të dyshuar në Kinë. Analistët thonë se ky projektligj e rrezikon pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe i vë në rrezik personat që merren me çështje politike dhe fetare, shkruan “Independent".