Presidenti austriak deklarohet pas rrëzimit të qeverisë, lavdëron mediat për zbulimin e skandalit

Presidenti austriak deklarohet pas rrëzimit të qeverisë, lavdëron mediat për zbulimin e skandalit

Bota May 18, 2019 - 23:44
Lexoni detajet

Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen ka lëshuar një deklaratë me rastin e rrëzimit të qeverisë pas skandalit me nënkancelarin Heinz-Christian Strache. Van der Bellen ka lavdëruar sidomos rolin thelbësor të gazetarisë së pavarur në një demokraci funksionale liberale. Pushteti i katërt në këtë rast e ka ushtruar plotësisht përgjegjësinë e vet, mendon kryetari.

Në mesditë foli nënkancelari Heinz-Christian Strache. Ai e pranoi se ka takuar një kinse investitore ruse me të cilën kishte diskutuar pranimin e parave të pista për qëllime elektorale. Strache dha dorëheqje. Në darkë foli kancelari Sebastian Kurz.

Ai tha se nuk mund të qeverisë më me partinë FPÖ të Straches. Qeveria ra, në Austri së shpejti pritet të mbahen zgjedhje të reja, të parakohshme parlamentare. Pas Kurzit foli presidenti Alexander Van der Bellen

Ai tha se incizimet që janë parë gjatë dy ditëve të fundit janë të turpshme. Presidenti tha se kjo pamje ka të bëjë me politikanët e FPÖ-së, jo me Austrinë në tërësi. «Ne nuk jemi kështu. Austria nuk është e tillë». Pamjet, shtoi Van der Bellen, tregojnë se politikanët e FPÖ-së nuk kanë fare respekt për qytetaret dhe qytetarët e vendit.

Me sjelljen e tyre politikanët kanë shkelur besimin që kanë marrë nga qytetarët. Këtë mungesë respekti «nuk e toleroj», bëri të ditur presidenti. Populli austriak duhet të ketë besim në integritetin e qeverisë dhe të institucioneve.

Në vijim të deklaratës së tij presidenti Alexander Van der Bellen nënvizoi se me kancelarin Kurz ka diskutuar për zgjedhje të parakohshme. Dorëheqjet janë hapi i parë, tani duhet të pasojë një hetim i plotë dhe i pamëshirshëm nga autoritetet ekzekutive dhe ato të drejtësisë.

Van der Bellen lavdëroi sidomos rolin thelbësor të gazetarisë së pavarur në një demokraci funksionale liberale. Pushteti i katërt në këtë rast e ka ushtruar plotësisht përgjegjësinë e vet, mendon kryetari. /Dialogplus