Hetohet vdekja e modeles marokene

Hetohet vdekja e modeles marokene

Bota March 17, 2019 - 08:25
Lexoni detajet e fundit

Vdekja e një modeleje marokene në Itali, e cila ishte pjesëmarrëse e rregullt e festave intime të ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, apo bunga-bunga siç njihen ndryshe, po trajtohet si vrasje e mundshme.

Bukuroshja 33-vjeçare Imane Fadil, vdiq në një spital të Milanos në 1 mars, një muaj pas shtrimit me urgjence për shkak të dhimbjeve të forta në bark.

Modelja i pati thënë atëherë miqve dhe avokatit të saj se e kishin helmuar. Në fakt, rezulton se Fadil, që kishte dëshmuar në 2012-tën në gjyqin e Berluskonit, ka pasur shenja që përputhen me ato të një helmimi.

Në media u fol për materiale radioaktive, por autoritetet këtë nuk e konfirmojnë. Berluskoni, i përballur asokohe me akuzën se kishte dhënë para në këmbim të marrëdhënieve intime me prostitutë minorene, pretendon se nuk e ka njohur 33 vjeçaren dhe se nuk ka folur kurrë me të.

Dosjet mjekësore të modeles kanë disa anomali sipas eksperteve, ndërsa mjekët nuk kanë arritur të identifikojnë qartë një patologji, e cila të shpjegojë vdekjen.

Fadil ishte duke shkruar një libër mbi eksperiencat e veta dhe prokuroret që po hetojnë vdekjen e saj, kanë arritur të sigurojnë një kopje të dorëshkrimit.