Arrestime masive në Turqi lidhur me tentativën për puç

Arrestime masive në Turqi lidhur me tentativën për puç

Bota shkurt 22, 2019 - 15:42
Lexo lajmet e fundit nga bota

Policia turke bastisi të premten shtëpitë e qindra ushtarakëve në lidhje me grushtin e dështuar të shtetit të korrikut 2016.

Prokuroria ka akuzuar anëtarë të shërbimit ushtarak për lidhje me rrjetin e klerikut mysliman Fethullah Gulen, i cili jeton në SHBA.

Ankaraja ka fajësuar përkrahësit e klerikut për tentativë për grusht shteti. Lëvizja e Gulenit, e quajtur “Hizmet” ka ndikim në shoqërinë turke, përfshirë mediat, policinë dhe gjyqësorin.

Kleriku Fethullah Gulen, një ish-aleat i presidentit Rexhep Tajip Erdogan i ka mohuar akuzat se qëndron pas përpjekjes për grusht shteti gjatë së cilës u vranë rreth 250 vetë.

Turqia është duke u përballur me akuza në rritje se goditjet e vazhdueshme kanë si qëllim të mbysin mendimin disident.

Këtë javë, Turqia burgosi disa gazetarë dhe akademikë si dhe një filantrop të akuzuar për kryengritje, akuzë që nëse provohet mund të çojë në burgim të përjetshëm.

Organizata për të Drejtat e Njeriut Human Rights Watch, me seli në SHBA lëshoi një deklaratë të premten që dënon autoritetet turke ndërsa parlamentarët evropianë kanë propozuar këtë javë një mocion për pezullimin e kërkesës së Turqisë për anëtarësim në BE.