Perëndimi vëzhgon vizitën e Putinit në Serbi

Bota January 17, 2019 - 09:07
Lexoni më shumë lajme nga rajoni dhe bota

Presidenti rus Vladimir Putin, i cili sot viziton Serbinë, pretendon se Shtetet e Bashkuara po destabilizojnë Ballkanin duke “shpallur rolin e tyre dominues” në rajon, shkruan gazeta "Zëri".

Putin ka folur për gazetat serbe “Vecernje Novosti” dhe “Politika”, në intervista që u publikuan në prag të vizitës së tij në Beograd. Komente këto që u pasqyruan edhe nga faqja zyrtare e Kremlinit.

Deklaratat e tij nënvizojnë edhe një herë marrëdhëniet historikisht të ngushta me Serbinë, sikurse edhe kujdesin e Moskës për ndikimin e Perëndimit. Ato bien ndesh gjithashtu me paralajmërimet e lëshuara nga Uashingtoni ose aleatë të tjerë evropiano-perëndimorë lidhur me faktin se Rusia po përpiqet të destabilizojë rajonin me ndërhyrjet në Mali të Zi, Bosnjë Hercegovinë dhe Maqedoni.

Në intervistat e tij Putin ka rikujtuar fushatën e bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 mbi Serbi, gjatë luftës së Kosovës, sikurse edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, deklaratë që u dënua nga Serbia dhe Rusia, por u mbështet nga shumica e vendeve perëndimore. “Për sa kohë që situata në Ballkan është shqetësuese politika e Shteteve të Bashkuara dhe e disa kombeve perëndimore që synojnë të shpallin rolin e tyre dominues mbetet një faktor serioz destabilizimi këtu”, citohet të ketë thënë Putin.

Ai vlerësoi gjithashtu se Mali i Zi “ishte tërhequr zvarrë drejt anëtarësimit në NATO”. “Si pasojë, vendi po kalon tashmë një periudhë destabiliteti politik”, është shprehur më tej shefi i Kremlinit.

Megjithatë, Mali i Zi së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera ka akuzuar Rusinë si mbështetëse të një përpjekjeje për grusht shteti në vitin 2016, teksa vendi ecte drejt anëtarësimit në NATO. Parlamenti malazez votoi unanimisht në prill të 2017-s për t’iu bashkuar aleancës. “Ne e kemi thënë vazhdimisht se gjithmonë e kemi parë politikën e zgjerimit të NATO-s si reminishencë të Luftës së Ftohtë dhe një strategji të gabuar dhe destruktive ushtarake dhe politike”, citohet më tej të ketë thënë Putin.

Vizita e Putinit në Serbi do të mbikëqyret me shumë vëmendje nga Perëndimi, për të gjetur gjurmë të atyre që konsiderohen si synime të Moskës në ish-Jugosllavi.

Veç Malit të Zi, Moska pretendohet se ka kërkuar të ndikojë në opinionin publik në Maqedoni, edhe ky një vend që sapo ka miratuar pjesën e saj të marrëveshjes historike me Greqinë, që do t’i hapte rrugë anëtarësimit në NATO ose edhe Bashkimin Evropian.

Sipas analistëve, pika më kulmore e vizitës njëditore të Putinit në Serbi do të jetë ndalesa e tij në tempullin më të madh të krishterimit ortodoks në Ballkan, “Shën Sava” në Beograd.

Putin dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq pritet të flasin përpara mijëra njerëzve jashtë “Shën Savës”, “në një shfaqje simbolike të lidhjeve vëllazërore”, siç thonë organizatorët e ngjarjes. Vizita e Putinit në Beograd do të nisë nga e enjtja e 17 janarit

Serbia furnizohet me armë ruse

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se vendi i tij po ndihmon për forcimin e aftësive të mbrojtjes të Serbisë prej vitesh dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

“Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e fortë të udhëheqjes serbe në rrugën e ruajtjes së neutralitetit të vendit. Në të njëjtën kohë, për shumë vite kemi ndihmuar në forcimin, mbrojtjen e aftësive të Serbisë: ne po e furnizojmë me armë dhe me pajisje ushtarake, ne ofrojmë ndihmë në riparimin dhe modernizimin e tyre. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunimin ushtarako-teknik”, tha Putin në një intervistë me “Novosti”.

Ai theksoi se lidhjet e ndërsjella midis Serbisë dhe Rusisë po rriten në të gjitha sferat, duke përfshirë tregtinë dhe se investimet ruse në ekonominë serbe tejkalojnë 4 miliardë dollarë.

Duke folur për tubacionin e “Rrjedhës Turke”, njeriu i parë i Rusisë theksoi se ndërtimi i saj është në përputhje me planin e planifikuar dhe se plani do të përfundojë deri në fund të vitit 2019.

“Do të doja të theksoja se ‘Gazprom’-i po shqyrton tani variante të ndryshme të zgjerimit të degës së transitit të gazit në Evropë. Njëri prej tyre parashikon transportin e karburantit midis Bullgarisë - Serbisë - Hungarisë, me një bashkim me qendrën e shpërndarjes së gazit në Baumgartenin austriak. Në këtë rast Serbia jo vetëm që do të shpenzojë gazin rus, por do të sigurojë gjithashtu transitin e tij. Kjo patjetër do të sjellë përfitime të rëndësishme për ekonominë serbe, do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e sigurisë energjetike të vendit tuaj dhe të gjithë Evropës Qendrore dhe Juglindore”, shpjegoi Putin.

Kur u pyet për formimin e Ushtrisë së Kosovës, ai deklaroi se ishte i befasuar nga “reagimi mjaft pasiv i Bashkimit Evropian në lidhje me vendimin e Parlamentit të Kosovës mbi transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri, sepse, siç thotë, serbët të cilët jetojnë në këtë vend e kanë përjetuar një veprim të tillë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre”. /ZERI