May pëson humbje historike – parlamenti nuk aprovon Brexitin

Bota January 15, 2019 - 22:01
Lexo tjera detaje

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka përjetuar humbjen më të madhe qeveritare në historinë e Britanisë, pasi parlamenti ka votuar kundër marrëveshjes së saj për largim nga Bashkimi Evropian.

Kundër marrëveshjes kanë votuar 432 deputetë, ndërsa 202 ishin për këtë marrëveshje.

Me afat kohor deri më 29 mars për Brexitin, Britania e Madhe është futur në krizën më të madhe politike pas dy vitesh strategji për shkurorëzim nga BE-ja.

Pas humbjes, May detyrohet nga parlamenti që brenda tre ditësh të vijë me një sqarim për hapat e saj të mëtutjeshëm. Ajo ka afat deri të hënën më 21 janar.

Disa parlamentarë kanë dalë me idenë se parlamenti mund të marrë në dorë procesin dhe ta përjashtojë qeverinë. Synohet që procesi i shkurorëzimit me BE-në t’u besohet disa parlamentarëve seniorë të gjithë spektrit politik.

Me 117 anëtarë të partisë që kanë dalë kundër saj në votën e mosbesimit në dhjetor, May do të ketë presion për dorëheqje nga posti i kryeministres.