‘Jelekët e verdhë’ simbol i protestave në mbarë botën

Bota December 21, 2018 - 18:56
Lajmet e fundit nga bota

Nga Brukseli deri në Basra, “jelekët e verdhë” e kanë krijuar një mënyrë të re të shprehjes së pakënaqësisë. E tëra filloi më 10 tetor, kur në Facebook postuan dy shoferë të mërzitur të kamionëve, të cilët bënë thirrje për bllokadë kombëtare të rrjetit rrugor në Francë si shenjë proteste për rritjen e çmimit të naftës.

Brenda pak ditësh, në protesta ishin grumbulluar rreth 200 mijë persona. Që nga 17 nëntori, protestat shpërthyen në tërë vendin dhe në to kishte pasoja të rënda për ekonominë e vendit. Por kjo nuk po vërehet vetëm në Francë. Protestat e “jelekëve të verdhë” janë përhapur edhe në Belgjikë, Bullgari, Serbi, Suedi, Izrael dhe Irak.

Njësoj si në Francë, këto kryengritje kombëtare i kanë bërë bashkë njerëzit me kërkesa dhe pikëpamje të ndryshme politike edhe në vendet tjera. “Jelekët e verdhë” në Belgjikë kanë kërkuar që kryeministri të japë dorëheqje, ndërsa po planifikojnë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme evropiane dhe belge. Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në disa qytete të Holandës, si në Rotterdam.

Protestuesit me jelekë të verdhë në Bullgari, që është vendi më i varfër i Bashkimit Evropian, i kanë bllokuar rrugët kryesore, përfshirë rrugët kufitare me Turqinë dhe Greqinë. Ata po kërkojnë ulje të çmimit të karburanteve, rritje të standardit jetësor dhe madje shpërngulje jashtë vendit të qeverisë që ata e quajnë “mafia”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.