31 mijë protestues 'pushtojnë' Parisin, thirrje kundër qeverisë

Bota December 08, 2018 - 18:53
Lexoni lajmet e fundit nga bota!

Më shumë se 31 mijë protestues marshuan të shtunën rrugëve të Francës me parulla anti-qeveritare. Që prej orëve të mëngjesit, rreth 89 mijë forca policie të mobilizuara për ruajtjen e rendit arrestuan të paktën 700 persona të identifikuar si të dhunshëm.

Në ndryshim nga javët e mëparshme, policia përdori taktika të ndryshme, duke angazhuar skuadra speciale për të ndalur elementët më të pabindur, duke mos kursyer ndaj tyre as gazin lotsjellës dhe mjete të tjera, përfshirë edhe autoblindat.

Në bulevarin Shomps Elize në Paris, rreth 1,500 manifestues nga radhët e "jelekëve të verdhë" mbajtën parulla kundër rritjes së taksave dhe politikave të presidentit francez, Emanuel Makron.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në rrjetet sociale, presidenti amerikan Donald Trump citoi me ironi justifikimet e Francës se rritja e taksave bëhet në emër të mbrojtjes së mjedisit, dhe shtoi se shteti francez mund të ketë nevojë për një president si ai.

Shumë nga dyqanet, muzetë, Kulla Eifel dhe disa stacione të metrosë qëndruan mbyllur, madje u anuluan edhe ndeshjet e planifikuara të futbollit dhe disa veprimtari artistike.

Këtë të shunë, protestat tërhoqën më pak pjesëmarrës krahasuar me ato të javës së kaluar, kur në të gjithë vendin manifestuan rreth 135 mijë persona.

Sipas ministrisë së Brendshme franceze, mes protestuesve mbizotërojnë moshat 20 deri në 40 vjeç.