Protesta të reja priten në Gaza pas përleshjeve vdekjeprurëse

Protesta të reja priten në Gaza pas përleshjeve vdekjeprurëse

Bota maj 15, 2018 - 10:44
Lexoni më shumë detaje

Protesta të reja pritet të mbahen sot, një ditë pasi të paktën 58 palestinezë u vranë nga ushtria izraelite, në përleshjet në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit, në ditën kur Shtetet e Bashkuara hapën ambasadën e tyre në Jerusalem.

Palestinezët sot shënojnë 70-vjetorin e asaj që e quajnë “Nakba” ose “Katastrofa”, që shënjon zhvendosjen masive të palestinezëve pas krijimit të shtetit të Izraelit.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se në protestat e 14 majit, po ashtu janë plagosur 2,700 persona.

Izraeli ka njoftuar se 40 mijë palestinezë morrën pjesë “në trazirat e dhunshme”, ndërkaq, kryeministri Benjamin Netanyahu mbrojti vendimin për të përdorur forcë, duke thënë se “çdo shtet e ka për obligim që të mbrojë kufinjtë e tij”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah ka thënë se “përgjegjësia për këto vdekje tragjike bie te Hamasi”.

“Hamasi qëllimshëm dhe me cinizëm ka provokuar këtë përgjigje”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara hapën ambasadën në Jerusalem në 70-vjetorin e shtetit të Izraelit.

[Ivanka Trump dhe Sekretri i Thesarit, Steven Mnuchin gjatë hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem. 14 maj, 2018]
Ivanka Trump dhe Sekretri i Thesarit, Steven Mnuchin gjatë hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem. 14 maj, 2018

Presidenti i Autoritetet Palestinez, Muhamud Abbad, ndërkaq, ka dënuar përdorimin e dhunës, duke e quajtur këtë ngjarje si “masakër” të kryer nga forcat izraelite dhe ka shpallur tre ditë zie.

Protestat e 14 majit ishin më të përgjakshmet që prej luftës në Gaza më 2014. Ato ishin pjesë e protestave që palestinezët kanë organizuar për gjashtë javë me radhë, që i kanë quajtur “Marshi i Madh i Rikthimit”, pasi palestinezët dëshirojnë të kthehen në territoret, që tashmë i takojnë Izraelit.

 

Shefi për të drejtat e njeriut i OKB-së, Zeid Ra’ad al-Huessein ka shprehur “zemërim për shkeljen e të drejtave të njeriut”, nga forcat izraelite.

Ndërkaq, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar forcat izraelite për “gjenocid” ndërkaq Izraeli ka thënë se është “shtet terrorist”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet që të mblidhet për të diskutuar për dhunën në Gaza.

Mbledhja është thirrur nga Kuvajti, por ende nuk është e qartë çfarë vendimi pritet të merret në këtë mbledhje.

Shtetet e Bashkuara bllokuan një deklaratë të propozuar nga Kuvajti, në të cilën kërkohej “hetim i pavarur dhe transparent”, për protestat vdekjeprurëse në Gaza.

Në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se e njeh Jerusaleminkryeqytet të Izraelit, vendim ky që nxiti reagime të shumta.

SHBA vendosi veton mbi një rezolutë në Kombet e Bashkuara, ku kërkohej që Trump të anulonte vendimin e tij për njohjen e Jerusalemit kryeqytet të Izraelit.

Palestinezët thonë se Jerusalemi Lindor do të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm. /REL/