A është Kim Jong-un i çmendur, ja çfarë thotë CIA

Bota October 04, 2017 - 23:25

“Kim Jong Un është një person shumë i arsyeshëm,” tha të mërkurën zëvendësndihmës drejtorja e Qendrës së Misionit të Koresë në Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA.

“Me përjashtim të retorikës agresive, Kim Jong Un nuk ka dëshirë të përballet me forcat e komandës së përbashkët (të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut)”, tha Yong Suk Lee në një konferencë për zbulimin në Uashington, të organizuar nga CIA.

“Kim Jong Un dëshiron atë që të gjithë sundimtarët autoritarë duan, të qeverisë për një kohë të gjatë dhe të vdesë paqësisht në shtratin e tij”, tha zonja Lee.

Vlerësimi i agjencive të zbulimit duket se është në kundërshtim me retorikën që përdoret nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në një seri mesazhesh në Twitter, Presidenti Trump e ka quajtur udhëheqësin e Koresë së Veriut një “njeri të vogël raketash” dhe në një mesazh të postuar muajin e kaluar, ai tha se Kim është “padyshim një njeri i çmendur”.