Elon Musk po shqyrton mundësinë e bashkimit të Tesla-s dhe SpaceX
Elon Musk ka deklaruar se po shqyrton seriozisht bashkimin e Tesla-s dhe SpaceX-it, dy kompanive të tij më të mëdha.
"A mendoj se do të ishte një ide e mirë? Po", tha Musk të martën, gjatë një diskutimi me analistë financiarë mbi rezultatet tremujore të biznesit të SpaceX-it.
Edhe pse Musk theksoi se një bashkim i tillë nuk është i sigurt dhe do të kërkonte mbështetjen e aksionarëve, ai bëri të ditur se janë krijuar komitete të posaçme brenda të dyja kompanive për të shqyrtuar këtë mundësi.
"Komitetet e posaçme nuk kanë arritur ende një marrëveshje mbi kushtet e ndonjë transaksioni dhe nuk ka asnjë garanci se do ta bëjnë këtë", shtoi Musk, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
"Megjithatë, besoj se bashkimi ka shumë anë pozitive dhe mund të sjellë përfitime të mëdha".
Duke pasur parasysh se Tesla vlerësohet në rreth 1,5 trilion dollarë, ndërsa SpaceX në dy trilionë dollarë, bashkimi i këtyre dy kompanive do të përbënte një nga bashkimet më të mëdha në histori.
Aksionet e SpaceX-it u rritën me 8% gjatë tregtimit pas mbylljes së bursës.
Kompania, e cila prodhon raketa hapësinore dhe satelitë interneti për rrjetin Starlink, po zgjerohet tani edhe në ofrimin e kapaciteteve të llogaritjes në cloud (cloud computing) për kompani të tjera teknologjike, si Anthropic dhe Google.
Ky segment biznesi është bërë pjesa më fitimprurëse e SpaceX-it, duke gjeneruar 7.5 miliardë dollarë, sipas rezultateve më të fundit tremujore.
Gjithashtu, Starlink regjistroi të ardhura prej 5.2 miliardë dollarësh.
Musk, i cili u bë trilioneri i parë në botë (në bazë të vlerësimit të pasurisë në letra) pas hyrjes së SpaceX në tregun e aksioneve më herët gjatë këtij viti, deklaroi se nuk është pjesë e asnjërit prej komiteteve të posaçme që po shqyrtojnë këtë bashkim gjigant.
Ai e përshkroi veten si një "palë me konflikt interesi", duke qenë se mban postin e drejtorit ekzekutiv si në Tesla, ashtu edhe në SpaceX.
Ai shtoi se, në fund të fundit, vendimi për një bashkim do t'u takojë aksionarëve.
Të paktën 50% e aksionarëve të Tesla-s do të duhet ta miratojnë bashkimin, gjë që Musk e cilësoi si "një pengesë mjaft të lartë për t'u kapërcyer".