Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të dhunës nga partneri
Studiues nga Mass General Brigham kanë zhvilluar mjete të inteligjencës artificiale që mund të ndihmojnë në identifikimin e hershëm të personave në rrezik nga dhuna në marrëdhëniet intime.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore npj Women’s Health, këto mjete mund të parashikojnë rastet e dhunës deri në katër vjet para se viktimat të kërkojnë ndihmë në qendrat për trajtimin e dhunës në familje.
Studiuesit përdorën modele të inteligjencës artificiale të bazuara në të dhënat e dosjeve elektronike shëndetësore të pacientëve.
Në studim u analizuan të dhënat e 673 grave që kishin kërkuar ndihmë për dhunë nga partneri, si dhe mbi 4 mijë persona të tjerë për krahasim.
Ekipi zhvilloi tre modele të ndryshme të të mësuarit makinerik: një model që analizonte të dhënat e strukturuara mjekësore si diagnozat dhe medikamentet, një model që analizonte shënimet klinike dhe raportet radiologjike, si dhe një model të kombinuar që bashkonte të dy llojet e të dhënave.
Rezultatet treguan se të tre modelet kishin saktësi të lartë në identifikimin e rasteve të mundshme të dhunës. Modeli i kombinuar arriti saktësinë më të lartë, rreth 88 për qind.
Kur u testua me të dhëna të mëparshme mjekësore, sistemi arriti të parashikojë rreth 80 për qind të rasteve mesatarisht 3.7 vjet para se pacientët të kërkonin ndihmë.
Sipas studiuesve, analiza zbuloi edhe disa faktorë që mund të lidhen me rrezikun e dhunës nga partneri. Personat me probleme të shëndetit mendor, dhimbje kronike dhe vizita të shpeshta në urgjencë kishin më shumë gjasa të përjetonin dhunë.
Në të kundërtën, personat që përdornin rregullisht shërbime parandaluese shëndetësore, si kontrolli i gjirit apo vaksinat, kishin rrezik më të ulët.
Autorët theksojnë se këto mjete të inteligjencës artificiale mund të ndihmojnë profesionistët shëndetësorë të identifikojnë më herët rastet e mundshme të dhunës dhe të nisin biseda mbështetëse me pacientët.
Megjithatë, ata vlerësojnë se nevojiten studime të tjera me grupe më të mëdha pacientësh për të përmirësuar saktësinë e këtyre modeleve./Gazeta Shneta