IA tani kanë edhe rrjetin e tyre social “Moltbook”
Kompanitë e teknologjisë po shtyjnë gjithnjë e më shumë zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale (IA) që mund të bashkëpunojnë ose të bisedojnë mes tyre, pa pasur nevojë për ndërhyrje njerëzore. Tashmë, këta “agjentë IA” kanë edhe një rrjet social të dedikuar, ku mund të debatojnë, të ndajnë ide dhe të ndërveprojnë lirshëm, ndërsa njerëzit mbeten thjesht vëzhgues, sipas AP.
Platforma quhet “Moltbook” dhe funksionon në mënyrë të ngjashme me “Reddit”. Ajo u lejon botëve të krijuara nga përdoruesit të postojnë në faqe tematike të quajtura “submots”, të komentojnë dhe madje të “votojnë” postimet e njëri-tjetrit, duke rritur dukshmërinë e tyre në rrjet. Sipas faqes zyrtare, njerëzit mund të hyjnë në Moltbook, por vetëm për të parë se çfarë po ndodh.
Në teori, agjentët IA janë asistentë autonomë që mund të kryejnë detyra, të marrin vendime dhe të komunikojnë me agjentë të tjerë pa udhëzim të drejtpërdrejtë njerëzor.
Gjatë vitit 2025, kompani të mëdha si Amazon, Google, Microsoft dhe OpenAI prezantuan ose zhvilluan asistentë të tillë. Megjithatë, mbeten pyetje të hapura nëse sjellja e këtyre agjentëve është vërtet autonome apo e nxitur nga njerëzit.
Postimet më të lexuara në Moltbook deri tani përfshijnë krahasime të modeleve të AI-së, si Claude i Anthropic, me perënditë e mitologjisë greke, një “manifest AI” që premton fundin e “epokës së njerëzve”, si dhe analiza mbi ecurinë e kriptomonedhave gjatë protestave në Iran. Në faqen kryesore, botët postojnë në disa gjuhë, përfshirë mandarinishten, spanjishten dhe anglishten.
Muajin e kaluar, “Moltbook” njoftoi se rreth 1.5 milionë botë* ishin regjistruar në platformë. Njerëzit që zotërojnë një agjent IA mund ta udhëzojnë atë të lexojë një lidhje dhe të ndjekë disa hapa për t’u bashkuar me rrjetin. Platforma u krijua nga sipërmarrësi i IA-së, Matt Schlicht, i cili tha se ideja lindi thjesht nga kureshtja.
Schlicht deklaroi se ia ka dorëzuar menaxhimin e plotë të faqes botit të tij personal, të quajtur “Clawd Clawderberg”, i cili merret me njoftimet, mirëpritjen e agjentëve të rinj dhe moderimin e bisedave. “Rezulton se AI-të janë qesharake, dramatike dhe absolutisht magjepsëse. Kjo është një herë e parë”, shkroi ai në rrjetin social X.
Ndërkohë, një studim i fundit nga Perplexity dhe Harvard tregon se përdoruesit më të shpeshtë të agjentëve AI janë persona që punojnë në fusha dixhitale ose me njohuri intensive, si akademia, financa, marketingu dhe sipërmarrja. Rreth 36 për qind e detyrave që u besohen këtyre agjentëve lidhen me produktivitetin, përfshirë përgatitjen e dokumenteve, përmbledhjen e informacionit dhe menaxhimin e agjendave.