Spanja ndalon mediat sociale nën 16 vjeç me qëllim të mbrojë miturit nga përmbajtjet e dëmshme

Spanja ndalon mediat sociale nën 16 vjeç me qëllim të mbrojë miturit nga përmbajtjet e dëmshme

Auto&Tech February 03, 2026 - 17:09

Kryeministri i Spanjës  Pedro Sanchez paralajmëroi se vendi i tij do të ndalojë aksesin në mediat sociale për të miturit nën moshën 16 vjeç për t’i mbrojtur ata nga përmbajtjet e dëmshme si pornografia dhe dhuna.

“Platformat online do të duhet të zbatojnë sisteme efektive të verifikimit të moshës për të bllokuar aksesin për të miturit”- tha Sanchez gjatë një samiti në Dubai. “Sot, fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire varësie, abuzimi, pornografie, manipulimi, dhune. Ne nuk do ta pranojmë më këtë.”- u shpreh ai.

Lideri socialist paralajmëroi gjithashtu se do të ndryshojë ligjin spanjoll në mënyrë që drejtuesit ekzekutivë të platformave teknologjike të përballen me përgjegjësi penale nëse nuk heqin përmbajtjet e paligjshme ose që nxisin urrejtje. Në dhjetor, Australia u bë vendi i parë që u ndaloi të miturve nën 16 vjeç të përdorin platformat online më të njohura në botë, përfshirë Facebook, Instagram dhe TikTok.

Ndërsa javën e kaluar, parlamenti francez miratoi një projektligj që ndalon mediat sociale për të miturit nën 15 vjeç. Pas këtyre vendeve edhe Portugalia paralajmëroi se do të ndalojë mediat sociale për adoleshentët nën 16 vjeç./rtsh.al