BE-ja vendos “WhatsApp”-in nën mbikëqyrje të përforcuar
Bashkimi Evropian ka aktivizuar mbikëqyrjen e përforcuar edhe ndaj aplikacionit WhatsApp, kjo pasi funksioni i tij “Channels” ka arritur pragun e kërkuar prej të paktën 45 milionë përdoruesish në BE.
Platforma e mesazheve, në pronësi të kompanisë Meta, është përcaktuar si një nga operatorët e mëdhenj digjitalë me fuqi të konsiderueshme në treg, duke u përfshirë kështu në kategorinë e subjekteve madhore që i nënshtrohen detyrimeve të Aktit për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act). Këtë e bën të ditur Komisioni Evropian.
WhatsApp do t’i nënshtrohet kontrollit më të rreptë për respektimin e rregullave të BE-së, në kuadër të rregullimit të Brukselit që synon të kufizojë abuzimet me pushtetin e platformave të mëdha dhe të forcojë sigurinë dhe të drejtat në hapësirën digjitale evropiane.
Çfarë do të thotë VLOP?
Komisioni Evropian e ka përcaktuar zyrtarisht WhatsApp-in si një Platformë Shumë të Madhe Online (VLOP) sipas Aktit për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA), pasi funksioni i tij “Channels” ka arritur pragun e kërkuar prej të paktën 45 milionë përdoruesish në BE.
WhatsApp është një shërbim hibrid që përfshin si veçori të mesazheve private, ashtu edhe të një platforme online. WhatsApp Channels, funksioni që u lejon përdoruesve të shpërndajnë informacione, përditësime dhe njoftime te një audiencë e gjerë përdoruesish të WhatsApp-it, hyn në përkufizimin e një shërbimi platforme online dhe, për rrjedhojë, tashmë i nënshtrohet detyrimeve të përgjithshme të DSA-së që duhet t’i respektojnë platformat online në BE.
Ndërkohë, shërbimi i mesazheve private të WhatsApp-it, që u mundëson përdoruesve të dërgojnë mesazhe me tekst, shënime zanore, foto, video, dokumente dhe të kryejnë thirrje zanore e video, mbetet shprehimisht i përjashtuar nga zbatimi i DSA-së.
Pas këtij përcaktimi, Meta, kompania që ofron WhatsApp-in, ka katër muaj afat, pra deri në mesin e majit 2026, për të siguruar që WhatsApp të përmbushë detyrimet shtesë të DSA-së për platformat shumë të mëdha online. Këto detyrime përfshijnë vlerësimin dhe zbutjen e rreziqeve sistemike, si shkeljet e të drejtave themelore të njeriut dhe të lirisë së shprehjes, manipulimi zgjedhor, përhapja e përmbajtjeve të paligjshme dhe shqetësimet lidhur me privatësinë, që mund të rrjedhin nga shërbimet e tij.
Pas përcaktimit si platformë shumë e madhe online, Komisioni Evropian do të jetë autoriteti përgjegjës për mbikëqyrjen e respektimit të DSA-së nga WhatsApp, në bashkëpunim me Coimisiún na Meán, Koordinatori Irlandez për Shërbimet Digjitale./atsh