Pronari i TikTok-ut nënshkruan marrëveshje për të shmangur ndalimin e SHBA-së
Pronari kinez i TikTok-ut, ByteDance, ka nënshkruar marrëveshje detyruese me investitorë amerikanë dhe globalë për të operuar biznesin e tij në Amerikë, u tha shefi i TikTok-ut punonjësve.
Gjysma e sipërmarrjes së përbashkët do të jetë në pronësi të një grupi investitorësh, përfshirë Oracle, Silver Lake dhe firmën e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe MGX, sipas një memorandumi të dërguar nga drejtori ekzekutiv Shou Zi Chew.
Marrëveshja, e cila do të mbyllet më 22 janar, do t’i jepte fund viteve të tëra përpjekjesh nga Washingtoni për të detyruar ByteDance të shesë operacionet e saj në SHBA për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare.
Kjo është në përputhje me një marrëveshje të zbuluar në shtator, kur Presidenti i SHBA-ve Donald Trump vonoi zbatimin e një ligji që do ta ndalonte aplikacionin nëse nuk shitej.
Në memorandum, TikTok-u tha se marrëveshja do t’u mundësojë “mbi 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë të zbulojnë një botë me mundësi të pafundme si pjesë e një komuniteti global jetësor”.
Sipas marrëveshjes, ByteDance do të mbajë 19.9% ëtë biznesit, ndërsa Oracle, Silver Lake dhe MGX me seli në Abu Dhabi do të mbajnë nga 15% secila.
Një tjetër 30.1% do të mbahet nga bashkëpunëtorët e investitorëve ekzistues të ByteDance, sipas memorandumit.
Shtëpia e Bardhë tha më parë se Oracle, e cila u bashkëthemelua nga mbështetësi i Trump, Larry Ellison, do të licencojë algoritmin e rekomandimeve të TikTok si pjesë të marrëveshjes.