Miliona fëmijë australianë sapo humbën qasjen në rrjetet sociale, ç’po ndodh atje dhe a do të funksionojë?
Fëmijët në mbarë Australinë u zgjuan të mërkurën pa pasë qasje në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale nën një ndalim të paparë më herët në botë, i krijuar për t’i mbrojtur ata nën 16 vjeç nga algoritmet që krijojnë varësi, manipuluesit online dhe ngacmuesit digjitalë.
Asnjë vend tjetër nuk ka ndërmarrë masa kaq të gjera dhe zbatimi i këtij ligji të rreptë po vëzhgohet me kujdes nga ligjvënës në mbarë botën, shkruan CNN, transmeton gazeta Express.
Dhjetë platformat e ndaluara – Instagram, Facebook, Threads, Snapchat, YouTube, TikTok, Kick, Reddit, Tëitch dhe X – thonë se do të respektojnë ndalimin duke përdorur teknologji verifikimi moshe për të identifikuar të miturit nën 16 vjeç dhe për t’u pezulluar llogaritë, por nuk besojnë se kjo do t’i bëjë fëmijët më të sigurt.
Kryeministri Anthony Albanese tha se ishte një “ditë e krenarisë” për Australinë.
“Kjo është dita kur familjet australiane po rimarrin pushtetin nga këto kompani të mëdha teknologjike. Ata po afirmojnë të drejtën e fëmijëve për të qenë thjesht fëmijë dhe të prindërve për të pasur më shumë qetësi shpirtërore”, tha Albanese për transmetuesin publik ABC të mërkurën.
Por ai pranoi se “nuk do të jetë e thjeshtë”.
Sipas ligjit, platformat duhet të tregojnë se kanë ndërmarrë “hapa të arsyeshëm” për të çaktivizuar llogaritë e përdorura nga fëmijët nën 16 vjeç dhe për të parandaluar hapjen e llogarive të reja, në mënyrë që t’i shmangen gjobave deri në 49.5 milionë dollarë australianë (32 milionë dollarë amerikanë).
Pritet që disa fëmijë – dhe prindërit e tyre – ta shpërfillin ndalimin, por nuk ka pasoja për asnjërin prej tyre.
Çfarë po bëjnë platformat?
Përdoruesve të Snapchat-it do t’u pezullohen llogaritë për tre vjet ose derisa të mbushin 16 vjeç.
Përdoruesit e llogarive të YouTube do të çregjistrohen automatikisht më 10 dhjetor. Kanaleve të tyre nuk do t’u shfaqet më përmbajtja; megjithatë, të dhënat e tyre do të ruhen që ata të mund t’i riaktivizojnë llogaritë kur të mbushin 16 vjeç. Fëmijët do të mund të shikojnë YouTube edhe pa bërë hyrje (login).
TikTok thotë se të gjitha llogaritë e përdorura nga nën-16-vjeçarët do të çaktivizohen më 10 dhjetor. Nuk ka rëndësi cili email përdoret ose në emër të kujt është llogaria – teknologjia e verifikimit të moshës do të përcaktojë kush po e përdor. Përmbajtja e postuar më parë nga përdoruesit e mitur nuk do të jetë më e dukshme. Platforma gjithashtu po u bën thirrje prindërve që besojnë se fëmijët e tyre kanë gënjyer për moshën kur hapën llogaritë t’i raportojnë ato.