Google pas nëntë vitesh ndalon opsionin “Assistant”, do ta zëvendësojë me Gemini
Google po përgatitet të shfuqizojë një nga shërbimet e tij më të njohura pas nëntë vitesh. Gjiganti i teknologjisë, i njohur për largimin e rregullt të produkteve dhe aplikacioneve të tij, së shpejti do t’i japë lamtumirën asistentit të popullarizuar Google Assistant dhe do ta zëvendësojë me sistemin më të ri dhe më të fuqishëm të inteligjencës artificiale, Gemini.
Procesi i ndalimit të përdorimit të Google Assistant, i cili filloi në 2016 si konkurrent ndaj asistentëve tjerë si Siri dhe Alexa, do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. Sipas njoftimeve zyrtare, tranzicioni duhet të jetë përfunduar deri në mars 2026. Deri atëherë, Google Assistant do të jetë ende i disponueshëm për përdorim.
Në vend të tij, përdoruesit do të kalojnë tek Gemini, që pritet të ofrojë mundësi shumë më të avancuara: përveç se të kuptojë të njëjtat komanda zëri si Google Assistant, Gemini lejon komunikim më natyral, përpunim më të avancuar të kërkesave dhe integrim më të lehtë me aplikacionet dhe shërbimet e Google.
Për më tepër – Gemini nuk do të zëvendësojë vetëm asistentin në telefonë. Plani është që të kthehet në asistentin e vetëm për pajisje të ndryshme: tableta, automjete, kufje, orë inteligjente – dhe në të ardhmen edhe për pajisje shtëpie, si altoparlantë, televizorë dhe ekrane inteligjentë.