
Shqiptari që po bën karrierë në Microsoft në Gjermani - Laurin Maliçi, ekspert i sigurisë së të dhënave dhe inteligjencës artificiale
Laurin Maliçi, një profesionist i ri shqiptar, po bën karrierë të shquar në kompaninë gjigante Microsoft në Gjermani, duke u renditur ndër zërat e rinj më premtues në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale (AI).
I diplomuar në inxhinieri ekonomike, Laurini ka një përvojë disavjeçare në fushën e teknologjisë dhe të sigurisë kibernetike. Gjatë studimeve të tij, ai punoi për mbi 2.5 vjet në SAP, në departamentin e Product Engineering, përpara se të kalonte në Microsoft në vitin 2024.
Fillimisht si Unified Solution Specialist (student praktikant), më pas si Security Solution Specialist, dhe sot mban pozitën e Data Security Solution Engineer.

Në këtë rol, ai ndihmon klientët ndërkombëtarë të Microsoft-it në sigurimin e udhëtimit të tyre drejt inteligjencës artificiale (AI Journey), duke u fokusuar në forcimin e arkitekturave të sigurisë së të dhënave dhe në zhvillimin e strategjive teknike për sektorë të ndjeshëm si automobilizmi, transporti dhe udhëtimet.
Laurini është djali i veprimtarit dhe humanistit të njohur, Lul Maliçi, i cili për dekada ka kontribuar për komunitetin shqiptar në Gjermani, Kosovë, Luginë të Preshevës, Maqedoni të Veriut e Shqipëri.

Në një prononcim për media, Laurin Maliçi thekson rëndësinë e përgjegjësisë në përdorimin e inteligjencës artificiale:
“E ardhmja e teknologjisë nuk është vetëm në fuqinë e algoritmeve, por në përgjegjësinë për t’i përdorur ato me etikë. Inteligjenca artificiale do të ndikojë në çdo aspekt të jetës sonë – nga mjekësia deri te arsimi – dhe ne duhet të sigurohemi që ky transformim të jetë i sigurt, i drejtë dhe në shërbim të njerëzimit.”

I pyetur për rrënjët e tij, Laurini nuk fsheh krenarinë:
“Jam krenar që jam shqiptar. Kudo që shkoj, përpiqem ta përfaqësoj vendin dhe komunitetin tonë me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim. Ky është motivimi im më i madh”.