
NASA gati për misionin historik rreth Hënës, pas pesë dekadash
NASA ka bërë të ditur se në fillim të vitit të ardhshëm një ekip astronautësh do të udhëtojë rreth Hënës, në misionin e parë të tillë të drejtuar nga njerëz pas më shumë se 50 vjetësh.
Katër astronautë do të nisen më 5 shkurt 2026 për një mision dhjetëditor, në kuadër të programit Artemis II. Ata do të hipin në SLS (Sistemi i Nisjes Hapësinore), raketën gjigante që NASA e konsideron si bazën e eksplorimit të ardhshëm përtej orbitës së Tokës.
Kush janë astronautët?
Ekuipazhi përbëhet nga Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe kanadezi Jeremy Hansen. Ky katërsh do të bëhet i pari që do të arrijë në orbitën hënore që prej misionit Apollo 17 në vitin 1972.
Edhe pse nuk do të zbarkojnë në sipërfaqe, ata do të fluturojnë rreth 9,200 kilometra përtej Hënës dhe do të jetojnë për 10 ditë në kapsulën Orion, duke testuar të gjitha sistemet jetike për misionet e ardhshme.
Rëndësia e Artemis II
Sipas NASA-s, misioni do të konfirmojë sigurinë dhe funksionimin e sistemeve të reja të mbështetjes së jetës, duke hapur rrugën për uljen e parë të njerëzve në Hënë në dekadat e ardhshme, si dhe për një objektiv më ambicioz – misionet drejt Marsit.
Në të njëjtën kohë, agjencia hapësinore amerikane ka bërë të ditur se po shqyrton edhe një strategji të re mbrojtëse për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm që mund të vijë nga një asteroid gjigant.