Google Maps po teston një funksion të ri, ja çfarë e bën më të lehtë

Google Maps po teston një funksion të ri, ja çfarë e bën më të lehtë

Auto&Tech September 03, 2025 - 08:14

Informacionet më të fundit tregojnë se Google Maps ka nisur testimin e një funksioni të ri, i cili është në dispozicion për një numër të vogël përdoruesish.

Google po teston një opsion të ri në aplikacionin Maps, të quajtur Live Updates, që u mundëson përdoruesve të ndjekin progresin e navigimit edhe kur aplikacioni nuk është i hapur.

Sipas Android Authority, ky funksion për momentin është parë vetëm tek një numër i vogël përdoruesish me Android 16, në versionin beta QPR2, dhe qëllimi është që informacionet e rëndësishme, si koha deri në kthesën tjetër ose koha e parashikuar e mbërritjes në destinacion, të jenë gjithmonë të dukshme.

Ndryshe nga njoftimet standarde që mund të zhduken lehtësisht nga paneli, Live Updates mbeten të shfaqura në ekranin e kyçur, në ekranin kryesor ose në shiritin e statusit të telefonit. Ky opsion ngjason pak me Live Activities të Apple që ekzistojnë në pajisjet iOS.

Pamjet e para tregojnë se përdoruesit e pajisjeve Pixel dhe Samsung tashmë mund ta shohin këtë funksion në versionin beta të Android 16. Megjithatë, bëhet fjalë për një test të kufizuar dhe ende nuk ka informacione se kur Live Updates do të jetë në dispozicion për publikun e gjerë.

Google prezantoi zyrtarisht Android 16 para një muaji, por duket se për implementimin e plotë të opsioneve të reja, përfshirë edhe Live Updates, do të nevojiten akoma disa rregullime. Kur të bëhet i disponueshëm për të gjithë, ky funksion mund të bëjë përdorimin e Maps shumë më të lehtë gjatë drejtimit dhe të bëjë navigimin më praktik. /Telegrafi