NASA planifikon ndërtimin e një reaktori bërthamor në Hënë deri në vitin 2030

NASA planifikon ndërtimin e një reaktori bërthamor në Hënë deri në vitin 2030

Auto&Tech August 05, 2025 - 15:39

NASA ka njoftuar përshpejtimin e planeve për ndërtimin e një reaktori bërthamor në Hënë brenda vitit 2030, si pjesë e strategjisë së saj për të krijuar një bazë të përhershme njerëzore në sipërfaqen hënore.

Lajmi vjen në një kohë kur gara hapësinore ndërkombëtare mes SHBA-së, Kinës, Rusisë dhe vendeve të tjera po intensifikohet.

Drejtuesi i përkohshëm i NASA-s, Sean Duffy, i emëruar nga administrata e ish-presidentit Trump, e konsideroi projektin si të domosdoshëm për zhvillimin e ekonomisë hënore, për energjinë e ardhshme në Mars dhe për të forcuar sigurinë kombëtare amerikane në hapësirë.

Ai u bëri thirrje kompanive private të paraqesin propozime për ndërtimin e një reaktori që të prodhojë të paktën 100 kilovat energji mjaftueshëm për një bazë të vogël, por shumë më pak se burimet tokësore të energjisë.

Ekspertët theksojnë se energjia bërthamore është mënyra më e besueshme për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji në Hënë, për shkak të kushteve të vështira diellore: një ditë hënore zgjat rreth 28 ditë tokësore, me dy javë errësirë të plotë që e bëjnë të pamjaftueshme energjinë diellore.

Megjithatë, ka skepticizëm në lidhje me realizueshmërinë e këtij projekti. Shkurtimet e thella buxhetore në NASA përfshirë reduktimin me 24% të fondeve për vitin 2026 dhe pezullimin e disa programeve të rëndësishme shkencore vënë në dyshim aftësinë e agjencisë për të zbatuar këtë objektiv ambicioz.

Ndërkohë, disa shkencëtarë paralajmërojnë se motivimet janë më shumë politike sesa shkencore, dhe mund të nxisin tensione të panevojshme ndërkombëtare.

Në maj të këtij viti, Kina dhe Rusia shpallën planet për ndërtimin e një stacioni bërthamor të automatizuar në Hënë deri në vitin 2035.

Sipas ekspertëve, ndërtimi i bazave bërthamore mund të çojë në pretendime për “zona sigurie” përreth tyre, çka mund të përkthehet në pretendime të heshtura për pronësi në sipërfaqen hënore – diçka që bie ndesh me frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar të parashikuar nga marrëveshja e Artemis-it, e nënshkruar në vitin 2020 nga disa vende, përfshirë SHBA-në.

Programi Artemis 3 i NASA-s, që synon të dërgojë njerëz në Hënë në vitin 2027, ka hasur në vonesa dhe pasiguri financiare. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndërtimi i një reaktori nuk ka kuptim nëse nuk sigurohet më parë dërgimi i ekuipazheve dhe pajisjeve të nevojshme.

Në këtë kontekst, projektet për energjinë bërthamore në Hënë vlerësohen si një hap i madh, por me sfida të mëdha teknike, politike dhe financiare përpara se të mund të bëhen realitet. /oranews