Kompania italiane padit Google, kërkon 2.97 miliardë euro dëmshpërblim

Kompania italiane padit Google, kërkon 2.97 miliardë euro dëmshpërblim

Auto&Tech May 09, 2025 - 18:15

Kompania italiane Moltiply Group njoftoi se ka ngritur padi kundër Google, duke kërkuar dëmshpërblim prej 2.97 miliardë eurosh, me argumentin se gjiganti amerikan ka abuzuar me pozitën dominuese në tregun e shërbimeve duke shtypur konkurrencën.

Moltiply operon faqen italiane popullore të krahasimit të çmimeve Trovaprezzi.it.

Kompania pretendon në padinë e saj se Google ndërpreu shërbimin e filialit të saj 7Pixel nga 2010 deri në 2017 në mënyrë që të forcojë pozicionin e Google Shopping, shkruan Reuters, përcjell telegrafi.

Bëhet e ditur se padia u ngrit në një gjykatë të Milanos.

Ndryshe, kjo nuk është padia e parë e tillë kundër Google.

Në vitin 2017, Komisioni Evropian gjobiti Google me 2.4 miliardë euro për shkeljen e ligjit të konkurrencës, duke i kërkuar që të sigurojë trajtim të barabartë për konkurrentët në segmentin e krahasimit të çmimeve në internet.

Në shtator të vitit të kaluar, Gjykata e BE-së hodhi poshtë ankesën e Google dhe la në fuqi gjobën.