Shqipëria hyn në tregun global të Intiligjencës Artificiale

Shqipëria hyn në tregun global të Intiligjencës Artificiale

Auto&Tech April 30, 2025 - 20:36

Qeveria shfaq ambicien që Shqipëria të bëhet pjesë e tregut global të Intiligjencës Artificiale.

Në funksion të këtij objektivi, Ministria e Financave, nëpërmjet një Akti Normativ, kërkoi që të bëhet një ndryshim në Buxhetin e Shtetit për vitin 2025, për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në projektin e investimit startup “Machine Thinking Lab”, në një vlerë jo më pak se 10 milionë USD (1 miliardë LEK), me afat brenda datës 29.04.2025.

Projektligji i Aktit Normativ iu dërgua për mendim edhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Akti Normativ u mbështetet në nenin 101 të Kushtetutës, i cili parashikon që Këshilli i Ministrave ka të drejtën e nxjerrjes së akteve normative me fuqinë e ligjit.

Akti Normativ, i cili mban firmën e ministrit të Financave, Petrit Malaj, institucioni i të cilit është edhe propozuesi,  sipas relacionit shoqërues, plotëson të gjitha kriteret e analizuara nga Gjykata Kushtetutese në vendimet e saj.

“Konkretisht, për miratimin e një akti normativ kërkohet të plotësohen kushtet që vijojnë:

1. Nevoja dhe urgjenca si kushte për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit;

2. Përkohshmëria e masave që përmban akti normativ me fuqinë e ligjit;

3. Fuqia ligjore e këtyre akteve dhe kufizimet për nxjerrjen e tyre:

4. Miratimi i aktit normativ me fuqinë e ligjit nga Kuvendi”, thuhet në relacionin shoqërues të Aktit Normativ.

Kërkesa

Përmes shkresës së saj, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) sh.a, ka përcjellë kërkesën për financimin e pjesëmarrjes së Qeverisë shqiptare në projektin e investimit startup “Machine Thinking Lab”, në një vlerë jo më pak se 10 milionë USD (1 miliardë LEK), me afat brenda datës 29.04.2025.

“Në këto kushte, nisur nga afatet e ngushta në dispozicion dhe sidomos rëndësia strategjike e këtij operacioni e argumentuar nga MEKI/KISH sh.a në shkresat e tyre respektive, Ministria e Financave ka përgatitur skenarin e rishikimit të parë të buxhetit për vitin 2025. Ky rishikim ka për qëllim reflektimin në ligjin e buxhetit vjetor të vitit 2025 të alokimit në programin e MEKI “01150 Mbështetje për Inovacionin dhe Teknologjinë” të fondit në masën 1 miliardë LEK (10 milionë USD).”, thuhet në relacion.

Si do të zëvendësohen 10 milionë dollarët që dalin nga buxheti?  

Ministria e Financave ka parashikuar edhe skemën se si do të mbushet sërish portofoli i qeverisë, në rastin e kalimit të 10 milionë dollarëve për investimin në startup “Machine Thinking Lab”.

Ministria e Financave, në relacionin që shoqëron Aktin Normativ, ka parashikuar se ky efekt financiar do të mbulohet nga rritja në të njëjtën masë prej 1 miliardë LEK i të ardhurave jotatimore në zërin “Të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara”. “Kjo, si rezultat i derdhjes në buxhetin e shtetit të të ardhurave të mbledhura nga ana e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK/MB), në zbatim të legjislacionit në fuqi për këtë qëllim, përcjellë zyrtarisht pranë MF nëpërmjet shkresës së tyre nr.2078/2 datë 29.04.2025.”, thuhet në relacion.

Leverdia e investimit

Në relacionin që shoqëron Aktin Normativ, thuhet se vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që kanë të bëjnë me investimin në fjalë, me leverdinë financiare që ai parashikohet të sjellë dhe me përllogaritjen e fondit të nevojshëm për këtë qëllim, janë vlerësuar dhe konfirmuar nga MEKI brenda përgjegjësive të saj funksionale, si ministria përgjegjëse për politikat e teknologjisë së inovacionit.

“Kështu, referuar shkresës së MEKI, ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e Al, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtë për drejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe hulumtimin e avancuar. Kjo do të tërheqë investitorë ndërkombëtarë dhe do të pozicionojë vendin tonë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e Al, një bashkëpunim që do të shërbejë si një mundësi marketingu global për vendin tonë.”, thuhet në relacion.

Përkohshmëria e Aktit Normativ

Akti Normativ vepron me fuqinë e ligjit për një periudhë kohe, maksimalisht 45-ditore. Përkohshmëria e këtij akti lidhet me kushtin e domosdoshëm të shqyrtimit të tij nga Kuvendi. i cili nëse e miraton, e kthen atë në ligj. Për këtë arsye, menjëherë pas miratimit të aktit normativ me fuqinë e ligjit nga Këshilli i Ministrave, ky akt do të dërgohet për miratim në Kuvend, me qëllim fillimin e procedurave parlamentare përkatëse.

Qëllimi i hartimit

Ky rishikim i buxhetit 2024, i cili propozohet t’i nënshtrohet procedurës së aktit normativ  parashikon:

Reflektimin në të ardhurat e përgjithshme të shtesës prej 1 miliardë lekë.

Reflektimin në shpenzimet e përgjithshme të shtesës 1 miliardë lekë

Sipas relacionit, për rrjedhojë, ndryshimet e sipërcituara të cilat rrisin me 1 miliardë LEK si të ardhurat ashtu edhe shpenzimet e përgjithshme, nuk prekin defiçitin buxhetor i cili ruan të njëjtin nivel, nominal dhe në përqindje të PBB, me atë të miratuar në ligjin e buxhetit fillestar 2025.

Argumentet

Të Ardhurat Jatatimore rriten në masën I miliardë lekë, si rezultat i derdhjes në buxhetin e shtetit nga ana e AAPSK të të ardhurave nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara.

Shpenzimet kapitale rriten me 1 miliardë lekë në zërin Financim i brendshëm të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim transfertën kapitale tek Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) sh.a. për financimin e pjesëmarrjes së Qeverisë shqiptare në projektin e investimit startup “Machine Thinking Lab”.

Defiçiti huxhetor pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, mbetet i pandryshuar në nivelin 68 052 milione LEK.

“Nisur nga sa më sipër parashtruar, theksojmë se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ do të vijojnë të garantojnë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, në përputhje me rregullin respektiv fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi.”, përfundon relacioni.   

Çfarë është “Machine Thinking Lab”?

Pas largimit të papritur nga OpenAI vjeshtën e kaluar, inxhinierja shqiptaro-amerikane, Mira Murati, duket se ka gati një projekt të ri.

Kompania e saj e re për inteligjencë artificiale quhet “Thinking Machines Lab”. Kompania thotë se qëllimi i saj është “t’i bëjë sistemet e inteligjencës artificiale më të kuptueshme gjerësisht, të personalizueshme dhe përgjithësisht më të afta”.

Kompania e re premton gjithashtu të paktën një nivel më të lartë të transparencës publike duke u zotuar të publikojë rregullisht kërkimet teknike. Në një njoftim për shtyp, kompania deklaroi se është ndërtimi i produkteve që ndihmon njerëzit të punojnë me inteligjencën artificiale dhe jo sistemet plotësisht autonome.

“Ne po ndërtojmë një të ardhme ku gjithkush ka akses në njohuritë dhe mjetet për ta bërë IA të punojë për nevojat dhe qëllimet e tyre unike,” u tha në një deklaratë për shtyp.

Murati ka punuar për të krijuar një ekip ëndrrash për këtë start-up të ri, pas përvojës si shefe e teknologjisë në kompaninë OpenAI nga maji i vitit 2022 deri në shtator 2024.

Ajo, kohët e fundit, rekrutoi bashkëthemeluesin e OpenAI, John Schulman, në krye të kërkimeve. Barrett Zoph, një tjetër ish-lider i OpenAI, është shefi teknologjisë në start-up. Jonathan Lachman, i cili udhëhoqi divizionin e projekteve speciale të OpenAI, i është bashkuar gjithashtu sipërmarrjes së Muratit./rtsh