Inteligjenca Artificiale çon përpara shkencën

Inteligjenca Artificiale çon përpara shkencën

Auto&Tech February 20, 2025 - 14:48

Një problem kompleks, të cilin mikrobiologëve iu deshën një dekadë për ta zgjidhur, është zgjidhur në vetëm dy ditë nga një mjet i ri i Inteligjencës Artificiale (Al).

Profesori Jose R Penades dhe ekipi i tij në Imperial College London kishin shpenzuar vite duke punuar dhe provuar pse disa superbaktere janë imun ndaj antibiotikëve.

Ai i dha problemin një mjeti të bërë nga Google me Al, i cili arriti ta zgjidhte në vetëm 48 orë.

Bëhet e ditur se dekada që iu desh shkencëtarëve për ta zgjidhur, përfshin edhe kohën që u desh për të vërtetuar kërkimin, i cili në vetvete ishte shumë vite.

Por ata thonë se po të kishin pasur hipotezën në fillim të projektit, do të kishin kursyer vite pune.

Prof Penades tha se mjeti në fakt kishte bërë më shumë sesa përsëritja e suksesshme e kërkimit të tij.

“Nuk është vetëm se hipoteza kryesore që ai ofroi ishte e duhura”, tha ai.

“Është se ai ofroi katër të tjera, dhe të gjitha kishin kuptim”, shtoi profesori.

Raportohet se studiuesit janë përpjekur të zbulojnë se si krijohen disa superbaktere – mikrobe të rrezikshme që janë rezistente ndaj antibiotikëve, shkruan BBC.

Hipoteza e tyre është se superbakteret mund të formojnë një “bisht” nga viruse të ndryshme që i lejon ata të përhapen midis specieve.

Dhe Penades ishte i lumtur ta përdorte këtë për të testuar mjetin e ri me AI të Google.

Vetëm dy ditë më vonë, AI ktheu disa hipoteza – dhe mendimi i parë, përgjigjja kryesore e dhënë, sugjeroi se superbakteret mund të marrin bishtin pikërisht në mënyrën si përshkroi hulumtimi i tij.

“Kjo do të ndryshojë shkencën”

Ndryshe, ndikimi i AI është shumë i kontestuar.

Disa thonë se do të mundësojë përparime shkencore – ndërsa të tjerë shqetësohen se do të eliminojë vendet e punës.

Penades tha se ai e kuptonte pse frika për ndikimin në punë si ai i tij ishte “reagimi i parë” që kishin njerëzit, por shtoi “kur mendon për këtë është më shumë se ke një mjet jashtëzakonisht të fuqishëm”.

Ai tha se studiuesit e projektit ishin të bindur se do të ishte shumë i dobishëm në të ardhmen.

“Unë mendoj se kjo do të ndryshojë shkencën, pa dyshim”, tha profesori.

“Jam para diçkaje që është spektakolare dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj”, përfundoi ai. /telegrafi