Rrjeti i PlayStation rikthehet online pas një ndërprerje

Rrjeti i PlayStation rikthehet online pas një ndërprerje

Auto&Tech February 09, 2025 - 19:26

Rrjeti i PlayStation tani është rikthyer online, ka njoftuar shërbimi, pasi përjetoi një ndërprerje shumë orëshe që filloi të premten në mbrëmje.

PlayStation tha se rrjeti tani ishte “rikuperuar plotësisht” dhe kërkoi falje për ndërprerjen, por nuk bëri të ditur se çfarë e shkaktoi problemin.

Bëhet e ditur se ndërprerja i bëri të paarritshme aspektet në internet të lojërave si Fortnite, Call of Duty, Grand Theft Auto dhe Marvel Rivals dhe shkaktoi probleme me verifikimin e licencës së lojërave jashtë linje me një lojtar, shkruan BBC.

Sipas DownDetector, problemi filloi pak para mesnatës të së premtes mbrëma.

Në një mesazh në X, PlayStation tha: “Shërbimet e rrjetit janë rikuperuar plotësisht nga një problem operacional. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin dhe falënderojmë komunitetin për durimin e tyre.”

“Të gjithë anëtarët e PlayStation Plus do të marrin automatikisht 5 ditë shtesë shërbimi”, shton deklarata.